E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka bujqësore, nënë apo njerkë?

Nikollaq Neranxi

Jeta jonë është e lidhur pazgjidhshmërisht me tokën. Përveç nevojave jetike, ngaqë ajo është një mjet kryesor prodhimi, me të na lidhin shumë faktorë, të cilët janë bërë pjesë e formimit të konstitucionit tonë shpirtëror, psikik dhe etnik. Atdheu fillon te pragu i shtëpisë, tek ajo pëllëmbë tokë ku janë gurët e themelit, atje ku ka zënë fill jeta jonë, tek ajo që është vendlindja. Për tokën është derdhur shumë mund, shumë djersë. Ajo në vendlindjen time, në Himarë dhe në shumë zona malore i është rrëmbyer shkëmbit. Me mure të lartë mbrojtës, që shpesh janë vepra të vërteta arti inxhinierik, janë krijuar brezaret, shpesh edhe me tokë të sjellë nga larg, ku është mbjellë një pemë apo pjergull, një ulli apo portokall dhe janë selitur bimët bujqësore për jetesën e familjeve tona. Për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë edhe është luftuar, është derdhur gjak. Këtë tokë, të fituar me kaq mund, bujku e ka dashur, është kujdesur për të, e ka shtuar pëllëmbë pas pëllëmbe, i ka shtuar pjellorinë duke derdhur djersë, plehëruar e ujitur. Përfshi kullotat, pyjet dhe ujërat, kjo ishte pasuria natyrore që siguronte jetesën, ushqimin. Nga kjo tokë që punohesh me dashuri dhe lagesh me djersë, pas çdo foleje që hapej me shat apo çapëz, pas çdo brazde ku hidhej fara buisnin bimët që me frytin e tyre shpërblenin punën dhe siguronin ushqimin. Kjo traditë, ky përkushtim dhe edukata e dashuria për punën, kalonte nga brezi në brez. Toka ishte si një nënë e mirë. Nëna mbetet nënë, ndaj saj gjithmonë jemi borxhlinj. Por toka mund të kthehet edhe në njerkë të keqe (se jo çdo njerkë mund të jetë e keqe!). E lënë jashtë kujdesit, ajo degradohet, humbet pjellorinë dhe aftësitë prodhuese e kthehet në gjysmë shkretëtirë. Në realitetin tonë të sotëm hasen të gjitha pamjet.
                                            
***
Por çfarë ndodhi me tokën, çfarë ndodhi në raportet tona me të? Qe një sistem i tërë antivlerash me synim zvetënimin dhe bjerrjen e vlerave të dashurisë dhe lidhjes së individit me pronën, nëpërmjet shpronësimit të skajshëm, kolektivizimit dhe ideologjisë së rreme e utopiste, që u përdor nga regjimi i kaluar. Për afro pesëdhjetë vjet, pas kolektivizimit dhe shtetëzimeve, toka ishte e të gjithëve dhe e askujt. Bujku u zhvesh nga prona dhe u kthye në një punëtor, që bënte punë të rëndë me mëditje, e cila i siguronte një jetë të varfër ekonomike e shpirtërore. U rritën breza të tërë, që të zhveshur nga prona e tokës, humbën edhe ato ndjenja afektive që dikur i lidhnin prindërit e tyre me fshatin dhe tokën. Fshati u bë vend i padëshiruar për të jetuar. Tokën dhe fshatin se donte më njeri, por edhe qyteti për 'ta ishte "mollë" e ndaluar! Fshati përjetonte krizën ekzistenciale dhe të identitetit të vet që sa vinte e rëndohej.
Shteti që ishte në një krizë të përhershme, për të përballuar nevojat në rritje të vendit, veçanërisht për t'iu përgjigjur  shtimit të popullatës me ritme të shpejta, dhe për pasojë edhe ardhjes së krahëve të rinj të punës, përmirësimin, përfitimin dhe hapjen e tokave të reja, nëpërmjet sistemeve të bonifikimit, kullimit dhe ujitjes, e bëri pjesë të politikave ekonomike të gjithë pesëvjeçarëve. Tokat fushore u sistemuan dhe u krijuan blloqe që lejonin mekanizimin e madh. Në zonën kodrinore u ngritën mijëra ha me blloqe drufrutore: Vreshta, pemëtore e ullishte. Në tokat e përfituara nga bonifikimet u ngritën qyteza të reja bujqësore. Prodhimi bujqësor e blegtoral u rrit. Në fund të viteve '90-të, toka bujqësore, kundrejt  viteve '50-të u shtua me afro 2 herë. Megjithatë, sipërfaqja e tokës për frymë mbeti relativisht e vogël dhe prodhimi bujqësor e blegtoral nuk i plotësonte kërkesat e vendit. Ishim vendi më i varfër i Evropës.
Pavarësisht nga motivet, ideologjia apo metodat që u përdorën, në fund të fundit, ajo çka u përfitua ishte investim i djersës dhe punës së shqiptarëve, një pasuri kombëtare me shumë vlerë, një trashëgim që u takon të gjithëve, por veçanërisht atyre që e kanë lagur me djersë atë. Kjo ishte gjendja e tokës dhe e fshatit në fund të viteve '90-të, para fillimit të ndryshimeve demokratike. Edhe i varfër edhe i pasur!
     ***
Pas reformës së tokës në vitet '91-'92 e ata pasardhës, u pronësuan mbi 450 mijë familje bujqësore. Natyrshëm, pritesh që të rivendoseshin lidhjet e humbura midis bujkut dhe tokës dhe zhvillim i prodhimit bujqësor në një ekonomi të tregut të lirë mbi bazën e kërkesës dhe ofertës, por nuk ndodhi kështu. Brezi i ri që e kishte humbur ndjenjën e dashurisë për token, vazhdoi për inerci të mbetej po me atë mentalitet. Ndarja nuk u shoqërua me politika mbështetëse e nxitëse që nga toka të prodhohesh dhe të fitohesh. Përkundrazi, ndërsa toka u nda, infrastruktura mbështetëse e bujqësisë u shpërbë. Sistemet e mëdhaja të kullimit dhe ujitjes u lanë pas dore. Tokat e Ultësirës Bregdetare Perëndimore filluan të rimoçalizohen e kripëzohen nga përmbytjet. Asetet u shtrenjtuan, tregu u mbush me mallra bujqësore të huaja. Me tokën ndodhi më e keqja e mundshme: Shpërdorimi dhe braktisja! Nga 700 mijë ha. tokë bujqësore të evidentuara, aktualisht rezulton se mbillen 370 mijë ha. ose 56 për qind e sipërfaqes. Por ku është toka? Rreth 110 mijë ha. janë të pandara e të braktisura (që u përfshinë në nismën e famshme "Shqipëria një euro"), afro 140 mijë ha. janë lënë djerrë, të papunuara e që po mbushen me barishte e ferra, në një kohë kur drithërat, bazë e ushqimit, janë defiçitare dhe çmimi sa vjen e rritet! A e kuptojmë se ç'po i bëjmë vetes? Qeveria dhe politika në vend që të bëjnë gjithçka të mundur që këto toka të mbillen, bëjnë sehirxhiun! Pjesa tjetër mbi 50 mijë ha. që është balli i tokave janë zënë nga ndërtimet. Gjithkush, kur të dojë e si të dojë, mund të ndërtojë mbi tokën bujqësore. Toka po betonohet. Mjafton shembulli i zonës së autostradës Tiranë-Durrës që nxori jashtë funksioni tokat më të mira të fushës së Tiranës. Të njëjtin fat patën edhe tokat bujqësore të Kamzës, Bathores, Bërxullit e Laknasit. Tirana dhe qytete të tjerë kanë mbetur pa bazën e tyre bujqësore periferike, që do të furnizonte tregun me perime, fruta e qumësht. Pasojat janë evidente: shtimi i varësisë nga tregu i huaj, rritje e pandërprerë e çmimeve, pakësim i detyrueshëm i konsumit dhe rezultantja shtimi i nivelit të varfërisë.
Brezi i ri i fshatit, krahu potencial i punës në bujqësi, e ka braktisur atë, ka ikur në emigracion. Puna në bujqësi me mjete primitive është e stërmundimshme. Erozioni demografik vazhdon ta gërryejë fshatin. Punojnë në bujqësinë e vendeve të tjerë, në punë  shpesh të rëndomta e të rënda, ndërkohë që tokat e tyre i kanë lëne djerrë. Shpjegimi është i thjeshtë: Përveç mekanizimit, dita e punës atje paguhet sa shumëfishi i asaj të vendit tonë. Përse ndodh kështu, ku janë arsyet? Ato janë të shumta, por kryesisht duhen kërkuar te qeverisja dhe qeveritë. Qeverive të tranzicionit, pa përjashtim, u ka munguar vullneti politik për reforma dhe politika zhvillimore në këtë sektor jetik të ekonomisë së vendit. Dua ta theksoj përsëri atë që kam thënë edhe një herë: Fshati është i braktisur dhe bujqësia e harruar dhe  se kjo është më shumë se gjysma e Shqipërisë.

***
Problemi i tokës bujqësore, është një nga më të mprehtit e ekonomisë sonë. Përveç zgjidhjes përfundimtare të problemeve të pronësisë, është koha t'u thuhet ndal veprimeve rrënuese të tjetërsimit dhe shpërdorimit të saj. Ministria e Bujqësisë, edhe pse e vonuar, duhet të ndërmarrë masa ligjore për të rishqyrtuar rrënjësisht aktet ligjore e nënligjore për tokën bujqësore e jobujqësore, duke bërë amendime dhe rregullime për t'i vënë fre  zhvlerësimit, shpërdorimit dhe tjetërsimit të kësaj pasurie. Tokën bujqësore po e humbasim. Kur ta kërkojmë nuk kemi për ta gjetur më. Eshtë një pasuri që na e kanë të parët tanë, edhe ne duhet t'ua lemë trashëgimtarëve, të shtuar por jo të pakësuar.
Toka na është kthyer në njerkë, të punojmë që ajo të bëhet për ne një nënë e mirë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›