E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasifikimi i bizneseve, me dy standarde

Bizneset në vend do të jenë të detyruara të punojnë me dy standarde të ndryshme, duke nisur që nga 1 janari 2009. E thënë me fjalë të tjera, aktiviteti i subjekteve private do t‘i referohet ligjit të procedurave tatimore, për sa i takon ndarjes së xhiros vjetore, në bazë të të cilit identifikohet lloji i biznesit, pra i vogël, i mesëm apo i madh (VIP). Standardi tjetër lidhet me ligjin e ri të miratuar së fundmi nga Komisioni i Ekonomisë "Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme", i ndryshuar sipas direktivave të Bashkimit Evropian. E reja në ligjin për SME-të lidhet me ndihmat që mund të akordojë BE-ja në drejtim të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Por nëse në ligjin për procedurat tatimore, një ndërmarrje e vogël identifikohet me xhiron vjetore 8 milionë lekë, në ligjin për SME-të, i miratuar dje në Kuvend, xhiroja vjetore duhet të jetë të paktën 10 milionë lekë. Mospërputhja e kufirit të xhiros vjetore ka shërbyer si shkak për debat mes deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, ndërsa përfaqësuesja e Ministrisë së Ekonomisë është përpjekur të sqarojë se ligji i sjellë nga METE i përshtatet direktivës së BE-së, por jo detyrimisht duhet marrë në konsideratë. "Bashkimi Evropian miratoi në tetor të këtij viti një program financiar që mundëson zhvillimin e SME-ve. Për të përfituar nga ky program, nevojitej ndarja e ndërmarrjeve sipas modelit të BE-së. Ne nuk kishim një ndarje të saktë dhe u detyruam që ta rishikonim modelin, duke ndryshuar klasifikimin në ndërmarrje të vogla, të mesme dhe mikrondërmarrje. Ky ligj, nuk dublon juridiksionin e procedurave tatimore, por na jep mundësinë që të përfitojmë nga fondet e BE-së", tha para komisionit, përfaqësuesja e ministrisë. Rritja e kufirit nga 8 në 10 milionë lekë në vit riktheu debatin e rishikimit të xhiros vjetore për bizneset e vogla. "Kur BE-ja përcakton një kufi prej 10 milionësh, pse nuk duhet ta bëjmë realisht një gjë të tillë për bizneset tona. Pse duhet që për ligjet e BE-së të përdorim një kufi të ndryshëm nga ai që aplikon sistemi tatimor në vend", u shpreh ish-ministrja socialiste e Ekonomisë, Ermelinda Meksi. Pavarësisht debateve, komisioni miratoi me shumicë votash projektligjin e qeverisë për SME-të.

Klasifikimi

Ndërmarrjet, në kuptim të këtij ligji, klasifikohen në: mikrondërmarrje, ndërmarrje të vogla dhe ndërmarrje të mesme. Kategoria e mikrondërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM) përfshin ato ndërmarrje ku punësohen më pak se 250 veta dhe që realizojnë një shifër afarizmi dhe/ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë. Ndërmarrje e vogël quhet një ndërmarrje ku punësohen më pak se 50 persona dhe që ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë. Mikrondërmarrje quhet një ndërmarrje ku punësohen më pak se 10 persona, e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë. Një ndërmarrje nuk mund të vlerësohet si ndërmarrje e vogël apo e mesme nëse 25% ose më shumë e kapitalit apo e të drejtave të votës kontrollohen, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, bashkërisht a individualisht, nga një ose më shumë organe publike. Po ashtu, ndërmarrjet mund të deklarojnë statusin e tyre, si ndërmarrje autonome, ndërmarrje partnere ose ndërmarrje e lidhur, përfshirë të dhënat, që lidhen me tavanet e përcaktuara në nenin 4 të ligjit.

Statusi

Kur në datën e mbylljes së llogarive ndërmarrja zbulon se në bazë vjetore ka tejkaluar ose ka rënë poshtë numrit të të punësuarve apo tavanit financiar, të përcaktuara në ligjin e ri, ajo nuk e përfton ose e humb statusin e ndërmarrjes së vogël, ndërmarrjes së mesme apo të mikrondërmarrjes, me përjashtim të rastit kur këto tavane tejkalohen për dy periudha llogaritjeje, të njëpasnjëshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›