E Diel, 1 Nëntor 2026

"ENEL, bisedime me Berishën për TEC-in me qymyr"

Një pjesë e italianëve nuk duan që projekti prej 2 miliardë eurosh për ndërtimin e centralit me qymyr të realizohet në Shqipëri. Dalja nga tregu e kësaj sasie parash shihet me shqetësim nga një pjesë e politikanëve të Rajonit të Venetos, ndër më të fuqishmit në Itali. Prej kohësh, gjiganti italian i energjetikës, ENEL, kishte planifikuar ndërtimin e një TEC-i në grykëderdhjen e lumit Po, pranë zonës së Porto Toles, por faktet e ditëve të fundit kanë sjellë ndryshimin e planit. Këshilltari për Politikat e Territorit në Rajonin e Venetos, Renzo Marangon, ka shprehur shqetësimin mbi faktin e zhvendosjes së projektit me vlerë 2 miliardë euro nga Porto Toles drejt Shqipërisë, duke i bërë thirrje Kryeministrit Silvio Berluskoni që ta rishikojë planin. Në një intervistë me një media italiane, Marangon pranon se midis Kryeministrit shqiptar Berisha dhe presidentit të kompanisë ENEL, Fulvio Konti, ka pasur një bisedë telefonike, ku është folur për centralin me qymyr. Më parë, ENEL ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të qeverisë italiane. Temë e bisedave ka qenë zhvendosja e projektit për ndërtimin e TEC-it nga rajoni i Venetos drejt Shqipërisë. "Midis Fulvio Kontit dhe Kryeministrit Berluskoni është folur mbi mundësinë për të investuar në Shqipëri në vlera që shkojnë rreth 2 miliardë euro, me synim prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri, kur në fakt, projekti i parë përfshinte grykëderdhjen e lumit Po në Itali", shprehet Marangon, ekspert për Politikat e Territorit në Rajonin e Venetos, i cili ndodhet në verilindje të Italisë. Më tej, ai shton se "nëse këto fakte bëhen realitet, do të ishte e rëndë për ne që një projekt me vlerë 2 miliardë euro të shfrytëzohet nga një vend tjetër. Këto fonde do të shërbenin për zhvillimin ekonomik të rajonit të Venetos dhe zgjerimin e subjekteve private". ENEL, prej katër vjetësh, po shikonte mundësinë për ndërtimin e TEC-it në zonën e Porto Toles, por kohët e fundit, thotë Marangon, ka ndërruar mendje. Duke marrë shkas nga kjo situatë, ai i ka bërë thirrje të gjithë qeverisë, në veçanti ministrit përgjegjës Skajola, "që ENEL të mos braktisë Porto Toles".

Duke iu rikthyer fakteve në Shqipëri, prej kohësh drejtues të kompanisë ENEL kanë zhvilluar takime me banorë të zonës së Durrësit, pranë Porto Romanos, aty ku do të ndërtohet termocentrali me qymyr. Mendohet që kapaciteti instalues i këtij TEC-i të jetë rreth 1600 megavat, ku si lëndë e parë për prodhimin e energjisë elektrike do të përdoret qymyri. Ekspertë të pavarur ambientalistë e shohin me dyshim këtë projekt, pasi rrezikon të dëmtojë zonën bregdetare të Porto Romanos. Për ta vendosur në punë TEC-in, do të nevojiten të paktën 800 tonë qymyr në orë, e barasvlefshme me 1 mijë tonë në orë karbon të lëshuar në ajër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›