E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçan, vidhen paratë e pensioneve

Zyra e Postës Shqiptare në qytetin e Poliçanit është vjedhur gjatë orëve të para të së martës, ndërkohë që policia nuk ka identifikuar ende autorët e ngjarjes. Punonjësit e këtij filiali, kanë konstatuar vjedhjen kur kanë shkuar si çdo mëngjes në punë. Sapo kanë hyrë në zyrë, ata kanë gjetur kasafortën e hapur dhe menjëherë kanë sinjalizuar dhe kërkuar ndihmën e policisë. Informacioni i parë për vjedhjen ka mbërritur në postën e policisë së kësaj qyteze dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Beratit. Burime të komisariatit të këtij qyteti bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së informacionit, ekspertët e policisë kanë udhëtuar drejt qytetit të Poliçanit për të kryer hetimet për vjedhjen. Nga hetimet e para është mësuar se vjedhja e postës, e cila ndodhet në qendër të qytetit, është realizuar nëpërmjet thyerjes. Autorët kanë hapur më parë portën e një kafeneje që ndodhet shumë pranë filialit dhe më pas, duke dëmtuar murin e përbashkët duke hapur një vrimë dhe nëpërmjet saj, kanë arritur të depërtojnë në ambientet e zyrës. Hajdutët kanë hapur kasafortën ku ndodheshin paratë e pensionistëve që do të shpërndaheshin dje. Nga verifikimet e para mësohet se shuma e parave të vjedhura në filialin e postës kap vlerën e 1.5 milionë lekëve. Shuma e parave ishte tërhequr dje nga punonjësit e postës për t‘ju shpërndarë pensionistëve të qytetit. Drejtori i Policisë së Qarkut të Beratit, Bernard Çaushi, i cili asistoi në hetimet në vendngjarje, pohoi se lidhur me ngjarjen është shoqëruar për në polici, Nazmi Braho, përgjegjësi i postës. Mësohet se ai është marrë në pyetje për ngjarjen. Nga hetimet e para rezultoi se kasaforta ku ndodheshin lekët është hapur pa thyerje, por me anë të çelësit që ndodhej në të. Sipas përgjegjësit Braho, ka qenë një rastësi që çelësi ishte harruar në kasafortë. Sipas policisë, veç shkeljes që është hasur në lënien e çelësave, tjetër shkelje e konstatuar është fakti i mbajtjes së sasisë së lekëve në ambientet e filialit të postës, në një kohë që ato mund të tërhiqeshin dhe shpërndaheshin brenda ditës. Sipas burimeve të policisë, për këtë ngjarje janë shoqëruar në komisariat edhe disa persona të dyshuar, por nuk ka ende emra konkretë autorësh. Mësohet se shpërndarja e lekëve për pensionistët e qytetit është shtyrë për disa ditë. Për ngjarjen e ndodhur, kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, është shprehur se kjo vjedhje ishte paralajmëruar, pasi sipas tij në qytet mungojnë patrullat e policisë dhe kjo është bërë shkak i vjedhjes së postës. Zotkaj pohoi se kohët e fundit, në këtë qytet, vjedhjet janë shtuar shumë, pasi aty ka vetëm një postë policie dhe mungojnë patrullat. Sipas tij, pavarësisht se është kërkuar me insistim, deri më sot nuk është bërë asgjë për të zgjidhur këtë problem.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›