E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet i dënuari për vrasje, gjatë arratisjes grabiti një makinë

Arrestohet një i kërkuar që prej pesë vitesh, i cili është dënuar për vrasje dhe vjedhje me armë. Eduart Çuni, i cili ka qenë i arrestuar më parë për vjedhje dhe është liruar gabimisht në vitin 2004, ku u penalizuan disa drejtues burgjesh, është kapur në Mamurras në një operacion të realizuar nga Policia e Tiranës. Ai akuzohet për një grabitje me armë dhe një vrasje në vitin 2000, për të cilat policia deklaron se është dënuar me 15 vjet burg. Policia shpjegoi se nga sektori i operacioneve speciale u arrit kapja e të kërkuarit Eduart Shpëtim Çuni, 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë, për veprën penale të "Vrasjes me paramendim", që më 25 tetor të vitit 2005. Ai akuzohet për dy ngjarje të ndodhura në të njëjtën ditë në vitin 2000, ku një djalë i ri është vrarë për pazaret e një pistolete dhe një taksist ka rënë pre e grabitjes pak minuta më vonë.

Në lidhje me vrasjen, shpjegohet se Çuni ka qenë shok me Besnik Lamçen dhe rastësisht nga ai, ka njohur viktimën Gentian Uka, i cili është vrarë më 27 qershor të vitit 2000. Në takim, Lamçe ka treguar një pistoletë TT, të cilën e kishte për ta shitur. Për të bërë shitjen, kishte zgjedhur shokun e tij të ngushtë, Gentian Uka, i cili e ka pranuar armën duke rënë dakord për çmimin 30 mijë lekë dhe për të bërë shitjen, ka kërkuar ndihmën e shokut të tij, Sokol Allushi. Ky i fundit e ka marrë pistoletën më 25 qershor të atij viti, duke iu kërkuar që ta shiste rreth 40 mijë lekë, me qëllim që Uka të fitonte 10 mijë lekë. Dorëzimi i pistoletës është bërë te lokali "Piano e vjetër", të cilën e ka mbajtur dy ditë, duke kërkuar ta shiste te persona të besuar. Lamçe, duke mësuar se pistoleta nuk ishte shitur ende, i ka kërkuar Ukës t‘ia kthente armën. Në këto kushte, më 27 qershor, rreth orës 16:00, Uka ka shkuar për të takuar shokun e tij, Sokol Allushi, dhe ka mësuar se ndodhej tek shtëpia e të vëllait. E ka takuar dhe Allushi i ka thënë Ukës ta priste sa të përcillte një vajzë. Kur është kthyer, ka parë që Uka ishte i shoqëruar nga dy persona, Emiliano Krudën dhe një person tjetër nga Kombinati, për të cilin dyshohet se ishte Eduart Çuni. Aty Allushi ka gënjyer sikur nuk e kishte pistoletën dhe Uka është larguar duke e lënë vetëm me Çunin deri në orën 17:30 të asaj date. Më pas, Uka është takuar disa herë rrugës me Allushin, duke i kërkuar pistoletën, por ky nuk ia ka dhënë duke i thënë që mos ta kërkonte më. Më vonë, Uka ka pritur te blloku i magazinave në afërsi të "Frigoriferit", me mendimin se Sokol Allushi do t‘u sillte pistoletën. Pa kaluar shumë minuta, Allushi, i shoqëruar nga Eduart Çuni, ka kaluar përpara restorant "Durrësit" dhe duke qenë se ka parë policinë, e ka fshehur pistoletën poshtë një kartoni dhe më pas kanë takuar Besnik Lamçen, i cili ka mësuar dhe vendndodhjen e Ukës, i cili ende nuk e kishte pistoletën për t‘ia kthyer. Kur ata prisnin pistoletën, Lamçe ka shkuar aty bashkë me Çunin, dhe pa folur fare, është qëlluar Uka, i cili ka gjetur vdekjen rrugës për në spital. Pas kësaj vrasjeje ka ardhur edhe grabitja e makinës me armë, ku drejtuesi i mjetit ishte goditur me grushte dhe kërcënuar me armë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›