E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalimash-Rruga e Elbasanit, pa biletë kthimi

Skënder Minxhozi 

Intervista e djeshme e ambasadorit amerikan Withers në këtë gazetë, ka pasur efektin e një tërmeti të shurdhët në ambientin shqiptar. Një nga ato lëkundje që duket sikur nuk lenë shenjë, por që i krijojnë në heshtje plasaritjet nëpër mure, dritare dhe themele shtëpish. Withers ka bërë daljen publike të radhës, duke shkelur ndoshta manualet e diplomacisë, por duke u treguar shqiptarëve se kjo qeveri nuk ka më kohë për të harxhuar me orekset e kryeministrit, për të vijuar kultivimin e demokracisë njëzetvjeçare alla-shqiptare. Withers ka qenë i qartë, ashtu siç mund të jetë një ambasador, i cili konstaton se është koha për të kaluar nga bisedat konfidenciale me krerët e institucioneve, në kumtimin e hapur të disa të vërtetave që duken sheshit. E para: Shqipëria nuk është më ajo e para, hyrja në NATO kërkon një prerje me thikë nga e shkuara e një demokracie të korruptuar dhe jofunksionale. E dyta: me klasën politike duhet komunikim i drejtpërdrejtë dhe sa më transparent, sepse kjo racë hileqare e kthen çdo shtrirje dore, në lavdi personale dhe arrogancë ndaj ligjit e kundërshtarëve. Mesa duket Withers e ka njohur mjaft shpejt specien "homo politicus" shqiptar! Paralelisht me të, vetëm pak ditë më parë, ambasadori gjerman Borchardt, shprehej në faqet e revistës MAPO se të dhënat e korrupsionit shqiptar ishin "shokuese".
Ajo që po ndodh me ambasadorin e SHBA dhe qeverinë tonë gjatë javëve të fundit, është gjithsesi e pazakontë. Edhe në vitet kur Berisha ishte ndërkombëtarisht i skeduar, rreth periudhës 1998-1999, kur atë nuk e ftonte askush në pritjet dhe aktivitetet e tjera që organizoheshin nga trupi diplomatik në Tiranë, kur ai nuk ftohej në asnjë institucion ndërkombëtar qendror, pakkush nga diplomatët e huaj në Shqipëri ka folur me gjuhën direkte të Withers. Këtë s'e ka bërë as i ndjeri Limpreht, i njohur për mungesën totale të afrimitetit me ish-presidentin, as paraardhësja e tij Lino, një grua e fortë dhe e vendosur. Kjo provon në substancë se marrëdhënia aktuale mes kryeministrit të Shqipërisë dhe ambasadorit amerikan, një trajektore që tradicionalisht ka ndikuar shumë në punët e Shqipërisë në 20 vjetët e fundit, është aktualisht vetëm institucionale dhe asgjë më tepër. Një rrethanë mjaft shqetësuese për kreun e qeverisë, i cili ka kujtuar shpesh vitet e fundit se e ka "çimentuar" një herë e mirë miqësinë me Uashingtonin, duke u rehabilituar përfundimisht si partner dhe aleat i amerikanëve në këtë zonë të globit.
Kjo qeveri mburret se ka qenë e para që i ka ofruar mikpritje në Tiranë një presidenti amerikan dhe se ka mbajtur me të, pra me Xhorxh W.Bush, një komunikim pak a shumë të drejtpërdrejtë. Disa letra falënderimesh a mesazhe protokollare të ardhura nga Zyra Ovale, kanë gjetur menjëherë publicitetin maksimal të burimeve të informimit shtetëror dhe mediave pranë, deri këtu s'ka asgjë që të mos tingëllojë si "shqiptare". E kanë bërë të gjithë, po e bën edhe Berisha. Puna është se në një vështrim më të kujdesshëm, krahas ardhjes së Bush në Tiranë dhe pjesës tjetër të marrëdhënieve politike, Tirana zyrtare është munduar të krijojë një partneritet të dimensionit ekonomik me Uashingtonin. Fjala është konkretisht për rrugën Durrës-Kukës, e cila menaxhohet financiarisht nga gjigandi "Bechtel". Ka pasur një zell të tillë në akordimin, jashtë çdo ligji dhe procedure, të këtij projekti kompanisë amerikane, saqë shprehja e Berishës përballë opozitës "mos i kruani brirët me amerikanët" tingëllonte si zyrtarizimi banal i një marrëdhënieje preferenciale mes tij dhe mikut të madh të shqiptarëve. Në atë kërcënim aspak elegant të kryeministrit, fshihej keq mesazhi se tani, përveç ambasadës zyrtare në Tiranë, në malet e Kalimashit ndodhej edhe një tjetër "ambasadë" virtuale e SHBA-ve në Shqipëri. Një prezencë lobingu dhe llogarish gjeopolitike, nga e cila domosdo do të përfitonte qeveria në fuqi. Nuk mund të thuhet se është një llogari e bërë keq, por natyrisht që nuk është një llogari e plotë. Sidomos kur ke vendosur të bësh lesh e li brenda vendit dhe të sillesh në një mënyrë të tillë, që t'i detyrojë amerikanë dhe europianë të mos i mbyllin të dy sytë.
E ndërsa zoti Berisha do të kishte dashur të kishte të bënte me "ambasadën" e Kalimashit, më shumë se me atë të Rrugës së Elbasanit, duket qartë se kjo e fundit po i nxjerr më shumë se një problem gjatë rrugës. Deklarata për mosndërhyrje në punët e Prokurorisë, për heqjen e imunitetit të Mediut dhe së fundi, për rrëzimin e pesë dekreteve të Topit, kanë krijuar një situatë të tendosur mes kreut të ambasadës dhe atij të qeverisë. Dhe kur dy vetë janë të tepërt për njëri-tjetrin, njëri prej tyre zakonisht duhet të largohet. Withers apo Berisha? Pyetje e çuditshme, ndoshta e pavend, por që në kontekstin konkret të zhvillimeve shqiptare, ka pasur shpesh arsye që të bëhet. Përgjigjja do të ishte sa e thjeshtë, aq edhe cinike - natyrisht që i bie të largohet i dyti!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›