Policët e ARMOS në grevë për rrogat
Ballsh-Policët që ruajnë Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh ankohen se janë pa u paguar prej katër muajsh. Plot 87 policë kanë protestuar sot para hyrjes së uzinës për rrogat e prapambetura.
Ata janë shpërndarë nëpër vendet e punës vetëm pasi kanë marrë premtimin se kjo çështje do të zgjidhet shpejt. Mësohet se fondi prej 260 milion lekësh duhet të jepet nga ARMO për pagat e policëve të objektit. Kjo sipas marrëveshjes së bërë mes kompanisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Shefi i Komisariatit të Policisë së Mallakastrës,Viktor Ago, u shpreh se shqetësimi i policëve është i drejtë. “Arsyeja që ata nuk kanë marrë rrogat është mosrinovimi i kontratës së punonjësve për ruajtjen e uzinës së naftës”, tha ai. Ndërsa shtoi se “janë bërë tentativa me Ministrinë e Financave nga Drejtoria e Policisë së Qarkut për kryerjen e pagesave të këtyre punonjësve të policisë.
Tani që ARMO është në kushtet e privatimit pasi u shit nga qeveria, nuk dihet ende nëse këta punonjës do të ruajnë vendin e punës apo jo. “Uzina e naftës është drejt privatizimit dhe në këto kushte nuk dihet ende nëse do të vazhdojë të ruhet nga këto policë”, tha Ago.