Tenderat, prokurori kërkon burg për punonjësit e Bashkisë Kavajë
Kavajë-Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Kavajës ka kërkuar burgim për pesë anëtarët e komisionit të tenderave si dhe përjashtim të tyre nga funksionet shtetërore për 5 vjet. Kjo ka qënë pretenca e paraqitur në seancën e sotme gjyqësore ndaj komisionit të tenderave në bashkinë e Kavajës. Hetimet kundër anëtarëve të ketij komisioni janë ballafaquar me prova konkrete të prokurorisë ne një afat kohor prej 10 muajsh.
Seanca u drejtua nga Gjyqtari Luan Lusha i vendosur me short për gjykim, pas përjashtimit të gjyqtares së mëparëshme të kësaj çështjeje Entela Shedula me kërkesën e të pandehurve.
Prokurori i çështjes Dritan Nushi ka kërkuar shpalljen fajtor të personave të marrë të pandehur, të cilët janë Emiljano Dajsmaili, përfaqësues i firmës "Daismaili shpk" në Peqin, Edmond Arkaxhiu, kryetar i komisionit të tenderit bashkia Kavajë, Suzana Arkaxhiu anëtare e komisionit, Helidon Plaku, jurist i bashkisë dhe anëtar i komisionit, Kostandin Filja, anëtar i komisionit dhe Emine Verria anëtare e komisionit.
Për të pandehurin Emiljano Daismaili prokuroria e Kavajës ka kërkuar 6 muaj heqje lirie dhe dënimin me gjobë në shumën 400 mijë lekë, për Edmon Arkaxhiun dhe Helidon Plakun dënimin me gjobë 500 mijë lekë dhe heqje e të drejtës publike në ushtrimin e aktivitetit në administratën shtetërore për 5 vjet. Për tre anëtarët e tjerë të komisionit është kërkuar dënim me gjobë në shumën 200 mijë lekë dhe heqje e të drejtës publike në ushtrimin e aktivitetit në administratën shtetarore për 5 vjet.
Seanca gjyqësore u zhvillua pas 10 muajsh hetime në ngarkim të pesë anëtarëve të Komisionit të Tenderave në Bashkinë e Kavajës si dhe një përfaqësuesi të një firme private.