Shirat e vjeshtës bllokojnë rrugët e 5 fshatrave
Berat – Shirat e rënë në 24 orët e fundit kanë bllokuar rrugët e 5 fshatrave në komunën Vertop të Beratit. Sipas kryetarit të komunës, Flamur Balliu reshjet e ditës së djeshme kanë bërë që të shemben disa segmente rrugore që lidhin fshatrat malore të kësaj komune.
Bëhet fjalë për fshatrat Vodicë, Karkanjoz, Peshtani, Hoxhaj, Kapinovë Tomor i Vogël dhe Tomorr i Madh të cilat për më shumë se 24 orë ndodhen ende të bllokuara nga shkarjet masive të dheut.
“Për zhbllokimin e rrugëve kemi kërkuar ndimën e Këshillit të Qarkut Berat i cili ka në juridiksionin e tij Ndërmarjen e Mirëmbajtjes së Rrugëve Rurale”, tha kryetari i komunës.
Balliu pohon se nuk është hera e parë që këto fshatra bllokohen. Madje në muaj e dimrit në këto fshatra nuk mund të shkojë makina dhe të sëmurët transportohen në krahë për gati tre orë për të mbërritur në rrugën nacionale. Ndërsa nuk kanë munguar rastet kur gratë shtatzëna kanë lindur rrugës për në maternitet.