E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç pranë dorëheqjes, shpall sërish kandidaturën

Thaçi prish axhendën e Tadiçit me vizitën te Obama, Presidenti serb tërhiqet.

Presidenti serb, Boris Tadiç, pritet të shpallë sot publikisht dorëheqjen, duke i hapur rrugë edhe mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe më 6 maj. Mandati i Tadiç përfundonte në fund të vitit 2012, por sipas agjencisë serbe të lajmeve B92 ai tashmë e ka marrë vendimin për ta përfunduar këtë mandat. Sipas të përditshmes serbe Blic, dorëheqja e Tadiç u bë në shenjë proteste për mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Kryetarja e Parlamentit, Sllavica Gjukiç-Dejanoviç, do të ushtrojë detyrën e saj sapo Tadiç ta shpallë dorëheqjen. Sipas mediave serbe, Tadiç ka informuar partinë e tij se paratë e shtetit do të kursehen nëse zgjedhjet organizohen vetëm një herë apo dy në vit. Më parë, kryeparlamentarja serbe ka shpallur si ditë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme serbe 6 majin, po në këtë ditë pritet që ajo sot të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale. Megjithatë, analistët besojnë se lëvizja do ti ndihmojë demokratët në votime. Rivali kryesor i tij në garën presidenciale është lideri i SNS-së, Tomisllav Nikoliç. Pritet të garojnë edhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, lideri i SVM Ishtvan Pastor, Milan Paniç, i cili përfaqëson partinë URS. Ndërkohë lideri i SPO, Vuk Drashkoviç, tha se do të paraqesë për president kandidaturën e Çedomir Jovanoviç, i cili njihet për politikat e tij liberale demokrate. Radikalët do të emërojnë Aleksandar Martinoviç, ndërsa DSS, e drejtuar nga Vojisllav Koshtunica, nuk ka dëshiruar të diskutojë mbi emra konkretë. Në garë thuhet të jetë edhe i sapo dorëhequri Boris Tadiç, i cili do të kërkojë një mandat të tretë. Tadiç u rizgjodh në vitin 2008, kur mundi Tomisllav Nikoliçin në raundin e dytë të votimeve, duke fituar me 50.31 për qind të votave, kundrejt Nikoliçit me 47.97 për qind. Mandati presidencial zgjat pesë vjet në Serbi.
Thaçi i ndryshon axhendën
Në një vendim, që me sa duket ka ndryshuar axhendën e Presidentit serb mbi vizitën e tij zyrtare në SHBA, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, viziton këtë javë Shtetet e Bashkuara ku pritet të takohet me Presidentin Barak Obama, zv.presidentin Xho Bajden, sekretaren Hilari Klinton dhe Medlein Ollbrajt. Thaçi do të vizitojë zyrat e OKB-së dhe pritet të mbajë një takim edhe me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun. Ndërkohë, Presidenti serb, Boris Tadiç, i cili duhej të udhëtonte në Uashington këtë javë, është tërhequr nga vizita. Arsyeja është se delegacioni serb nuk dëshiron të jetë atje në të njëjtën kohë me delegacionin kosovar.

Kosova në takimin Barroso-Rasmusen
Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, kanë diskutuar të hënën mbi bashkëpunimin BE-NATO. Ata kanë prekur edhe situatën në Kosovë, ka deklaruar kabineti i Barrosos në një njoftim për shtyp. Fokusi i takimit ishte përgatitja për samitin e ardhshëm të NATO-s në Çikago, si dhe planet për tërheqjen e trupave të NATO-s nga Afganistani. Dy zyrtarët kanë diskutuar edhe disa tema të interesave të përbashkëta në BE dhe NATO, veçanërisht Kosova, por nuk dhanë asnjë detaj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›