E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët nën trysninë dhe presionin e forcave politike

15/06/2009  Vendimi për ruajtjen e çdo mitingu dhe takimi. Ankohen efektivët

Punojmë me orare të tejzgjatura dhe po shpenzojmë nga paratë tona

FIER- Efektivat blu të tre komisariateve në qarkun e Fierit po kalojnë ditët më të lodhshme. Kjo si shkak i angazhimit të tyre në fushatat elektorale që kryejnë kandidatët për deputetë. Bëhet fjalë për inspektorët e rendit, të krimeve si dhe mjaft të tjerë që mbështesin këta të parët gjatë zhvillimit të takimeve elektorale. Me urdhër të brendshëm, dalë nga shefat e komisariateve dhe firmosur edhe nga drejtuesit e policisë në rang qarku, të gjithë policët angazhohen për të ndjekur mbarëvajtjen e mitingjeve të përqendruara si në fshatra edhe në qendra të tjera urbane.

Ky angazhim shtohet edhe më shumë kur takimet elektorale janë me përmasa të mëdha si PS-së, PD-së etj. Angazhimi i policisë në takimet elektorale gjatë këtij një muaji zgjedhor ka bërë që shumë efektiva blu në tre komisariatet e policisë Fier të shprehen kundër vendimit në fjalë. Shumë policë kanë thënë se jo vetëm që po punojnë me orë të tëra jashtë orarit të punës, por u duhet të shpenzojnë edhe nga të ardhurat e familjes për të realizuar ndjekjen e fushatës. Jo vetëm policët që kanë nën mbikëqyrje zonat e thella malore siç është zona e Mallakastrës, por edhe policët e Fierit dhe ata të Lushnjës të njëjtin shqetësim kanë nxjerrë. Madje, ata kundërshtojnë pjesëmarrjen e tyre edhe në mitingjet e mëdha në sheshet e qendrave të qyteteve.

Zyrtarisht në tre komisariatet e Fierit të shpjegojnë se pjesëmarrja e policisë në mitingje është e parashikuar me ligj, edhe pse pagesa e tyre për këtë shërbim nuk njihet me ligj. Drejtuesit e policisë jo vetëm që mbështesin vartësit e tyre për shqetësimin që ngrenë me të drejtë, por deklarojnë se me numrin e efektivave që kanë nuk mund të mbulojnë të gjitha takimet elektorale. Në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara si në ato parlamentare edhe në ato lokale, policia ka dhënë kontributin e saj në ruajtje të rendit dhe qetësisë publike, por asnjëherë nuk është paguar për orët suplementare dhe për mitingjet. Nuk janë të pakta rastet kur punonjës të policisë shtetit detyrohen që të jenë prezentë në takimet nga njëra zonë në tjetrën kur rrugët brenda për brenda komunave janë të pa shtruara, automjetet i kanë personale, kanë harxhim karburanti e amortizim mjeti. A. Damini

RRËFIM

Nga të gjitha këto shpenzime nuk u njihet absolutisht asgjë. Një uniformë blu e komisariatit Mallakastër pohon "se disa ditë më parë kandidati për deputet i PS-së Pirro Lutaj kishte dërguar sms shefit komisariatit policisë Viktor Ago ku i thoshte se ka ndodhur vrasje. Mirë që ishim pa ngrënë e ora po shënonte 17, telefoni në zona të Mallakastrës nuk kap për shkak të terrenit të thyer, por për tre orë u sorollatem të merrnim vesh se çfarë kish ndodhur. Si përfundim nuk kish ndodhur asgjë. Jo bukë që s’vumë në gojë, por na u desh që të shkonim edhe në takimin që përfaqësues të PS-së kishin në një fshat me 15 shtëpi në kufi me fshatrat e Vlorës”, - përfundon rrëfimin e tij polici i thjeshtë që punon në Mallakastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›