E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bluzat e bardha në kërkim të gjakut

15/06/2009  Shkak shtimi i aksidenteve rrugore dhe pritja e mbërritjes së turistëve

DURRES- Shtimi i numrit të aksidenteve rrugore si dhe afrimi i ardhjes së pushuesve të shumtë në bregdetin e Durrësit ka shtyrë bluzat e bardha të ndërmarrin nisma për të siguruar në progresiv paketat me gjak. Në bankën e gjakut në spitalin e Durrësit është thënë se e vetmja mënyrë vitet e fundit për të mbuluar nevojat në rastet e emergjencave të ndryshme janë mbuluar nga familjarë dhe të afërm të kërkuesve të gjakut. Edhe pse në frigoriferët e kësaj banke ka kampione me gjak, bluzat e bardha kanë kërkuar ndihmën e Kryqit të Kuq.

Fushata

Një fushatë ndërgjegjësimi ka nisur që me fillimin e muajit, ndërsa infermierët e mjekët në terren kanë mundur të marrin sasi të konsideruara gjaku. “Kemi ndeshur në interesimin dhe gatishmërinë e qytetarëve për të dhuruar gjak”,-ka thënë doktoreshë Shpresa Hazbiu, e cila është edhe përgjegjëse e Bankës së Gjakut. Janë kryesisht dhurues pa pagesë, vullnetarë të moshave të ndryshme, kryesisht të rinj, studentë, punonjës të administratës, efektiva të policisë e të ushtrisë që i janë përgjigjur kërkesës për të dhuruar gjak. Në pika të ndryshme në Durrësi vullnetarë dhe infermiere të gjakut kanë mbushur qese me gjak. Hazbiu ka pohuar se gjaku i dhuruar do të përdoret vetëm pasi të vinë përgjigjet e analizës nga Tirana. “Në të gjitha rastet e marrjes së gjakut, qeset përdoren vetëm pasi të kemi marrë përgjigjen si dhe kartelën përkatëse”,-ka thënë Hazbiu. Numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut në Durrës ka ardhur duke rënë ashtu si dhe dhuruesit me pagesë. Sipas kreut të shoqatës së dhuruesve të gjakut, Artian Llani, numri i dhuruesve si me pagesë edhe ata falas të gjakut ka pësuar rënie. “Pak vite me parë kemi pasur më shumë se 400 dhurues gjaku që afronin gjak falas, ndërsa ky numër ka rënë në 260 të tillë”,-ka thënë Artian Llani. Për rastet e dhurimit me lekë personat përfitojnë trajtim 3850 lekë për njësi prej 450 ml gjak si dhe 150 lekë për çdo dhurim. Me afrimin e sezonit të pushimeve në bregdetin e Durrësit bluzat e bardha rrisin ndjeshmërinë qytetare për dhurim gjaku me synimin për t’i paraprirë çdo situate të vështirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›