E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga e “Mesfushorit”, hetimet e linjës së trafikut

15/06/2009  Operacioni i kapjes me heroinë

TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar procesin hetimor ndaj katër të pandehurve që u arrestuan në muajin janar të këtij viti gjatë operacionit policor të koduar me emrin “Mesfushori 1”. Shtetasit e pandehur janë Nikel Dima, Bexhet Hidri të akuzuar për “Trafik të narkotikëve në bashkëpunim” si dhe Gjergji Gjika, Thanas Bebi të akuzuar për “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “Mbajtjes së substancave kimike”. Nga hetimet e kryera, si dhe nga një analizë e hollësishme e provave të grumbulluara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë banorë të qytetit të Elbasanit dhe shokë mes tyre. I pandehuri Nikel Dimo, në fillim të muajit janar 2009, ka organizuar trafikimin e një sasie lënde narkotike, sasi e cila është sjellë nga Maqedonia për në Shqipëri në datë 10 janar 2009 dhe pas momentit që do futej në territorin shqiptar do transportohej për në Elbasan, nga ana e të pandehurit Bexhet Hidri. I pandehuri Nikel Dimo, për të realizuar qëllimin kriminal ka biseduar nëpërmjet telefonit me të pandehurin Bexhet Hidri. Pas organizimit të punës, në mëngjesin e datës 10 janar i pandehuri Hidri, sipas bisedës që kishte bërë më parë me të pandehurin Dimo, me autoveturën e tij tip Mercedez-Benz, taksi me targa EL 643 A, është nisur nga qyteti i Elbasanit, për në drejtim të Qafë – Thanës. Ndërkohë për në drejtim të kësaj pike kufitare me mjetin tip Benz me portobagazh me ngjyrë të bardhë me targa EL 5933 B, është nisur dhe i pandehuri tjetër Nikel Dimo, i cili me vete ka marrë dhe shtetasin A. L. Qëllimi i marrjes së dëshmitarit A. L, ka qenë për të përdorur numrin e tij të telefonit me qëllim komunikimin me të pandehurin Hidri dhe me bashkëpunëtorët e tij në Maqedoni dhe në Shqipëri. Në afërsi të fshatit Piskupat janë futur në një nënkalim treni ku takohen me korrierin që ka sjellë sasinë e lëndës narkotike. Pasi kanë qëndruar disa minuta të pandehurit Nikel Dimo dhe Bexhet Hidri janë larguar për në drejtim të Elbasanit, duke udhëtuar në një distancë 500 m larg njëri-tjetrit. Pikërisht, në momentin që autovetura taksi tip Benz me targa EL 643 A e të pandehurit Bexhet Hidri, ka qenë në dalje të qytetit të Librazhdit është ndaluar nga shërbimet e Policisë Gjyqësore dhe pas kontrollit të saj, pikërisht në pjesën e bagazhit janë gjetur dhe sekuestruar tetë pako të mbështjella me natriban, si dhe dy qese të vogla me peshë totale 4 kg e 1.4 gram lëndë narkotike e tipit heroine. Në të tilla rrethana është bërë edhe arrestimi në flagrancë i të pandehurit Bexhet Hidri. Disa minuta më pas, në ambientet e lokal “24 Orëshit” është bërë dhe arrestimi i organizatorit të këtij trafiku, të pandehurit Nikel Dimo.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›