E Diel, 1 Nëntor 2026

Presin premtimin

Edhe pse ende nuk kanë marrë konfirmim për rritje të pagave, sindikalistët e shëndetësisë kanë vendosur t’iu besojnë premtimeve të qeveritarëve të Kosovës.

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës kësaj here nuk ka menduar për grevë a protesta, për të plotësuar kërkesën për rritjen e rrogës për 30 për qind dhe marrjen e shtesave të kërkuara qysh moti prej 44 eurosh.

Udhëheqësit e kësaj sindikate kanë vendosur t’iu besojnë premtimeve të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi se që nga janari i këtij viti, këto kërkesa do të realizohen.

Në një konferencë për media, kryetari i kësaj federate, Asllan Bajrami tha se ende nuk ka ndonjë konfirmim nëse janë rritur pagat e punëtorëve shëndetësorë, mirëpo ai tha se beson në premtimin e Qeverisë.

“Ngritja e pagave është paralajmëruar 30 për qind. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i kryeministrit. Mbetemi ende në premtimin e ripërsëritur dhe rikonfirmimin e rritjes së pagave nga zv/kryeministri Kuçi”, tha Bajrami.

Ai ka vlerësuar se vendimi për rritjen e pagave të deputetëve është provokim i rëndë i gjendjes së rëndë social-ekonomike të punëtorëve në Kosovë.

“Në këtë mënyrë po stimulohen apetitet e pabazuara të deputetëve për paga gati 10 fish më të larta sesa e një mjeku specialist”, shtoi Bajrami.

Edhe kryetari i FSSHK-së, Jahir Mulolli, tha se për realizimin e kësaj marrëveshjeje, duhet dhënë kohë Qeverisë.

“Janë kërkesat të cilat janë elaboruar dhe kemi një marrëveshje me Qeverinë dhe mendoj se Qeverisë duhet t’i mundësohet ta realizojë marrëveshjen”, tha Mulolli.

Vonesat e realizimit të kësaj marrëveshjeje, sipas Mulollit, janë bërë për shkak të fushatës zgjedhore të mbajtur në Kosovë.

“FSSHK-ja nuk është e kënaqur me dinamikën e realizimit të marrëveshjes, mirëpo ka qenë fushata zgjedhore dhe ajo i ka marrë kohë Qeverisë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, zyrtari për informim i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti tha se është duke u realizuar premtimi i Qeverisë që punonjësit shëndetësorë të nxirren nga kategoria e shërbyesve civilë.

Ai po ashtu ka thënë se në Kuvendin e Kosovës ka kaluar në shqyrtimin e parë Projektligji për shërbyesit civilë dhe Projektligji për sistemin e pagave, me të cilin i hapet rruga përmirësimit të pozitës materiale të punonjësve shëndetësorë.

“Është hera e parë që pas luftës pagat në shëndetësi kanë shënuar një ngritje prej 30 për qind. Është një start i mirë, jo i mjaftueshëm, natyrisht, për ta avancuar me ngritje të mëtejmë gjatë vitit. 44 euro që gjatë vitit 2009 punonjësit shëndetësorë i kanë marrë si stimulim, më 2010 punonjësit shëndetësorë nuk do t’i marrin si stimulim, por si pagë të rregullt”, tha Hoti.

Ai shtoi se te disa kategori konvertuar në përqindje sipas ngritjes i bie më shumë se 30 për qind, e te disa të tjera, më pak, por se sipas tij, është marre si mesatare 30-përqindëshi dhe në bazë të analizave të bazës së pagave të kategorive të ndryshme, i bie që kjo përqindje të jetë e saktë.

Zyrtarët e MSH-së thonë se kjo ministri është e hapur për dialog të vazhdueshëm dhe këtë metodë e ka instaluar duke zhvilluar takime të rregullta me sindikalistët.

“MSh-ja nuk dëshiron të jetë pjesë e konflikteve brendasindikale. Për MSH-në është i rëndësishëm secili punëtor shëndetësor. Prandaj, ne jemi të gatshëm në çdo kohë për dialog me organizatat sindikale, cilado qofshin ato”, pohoi Hoti.

Ndërsa, sa i përket marshit të paralajmëruar nga Sindikata e punëtorëve të QKUK-së, FSSHK-ja i vlerëson si manipulim të punëtorëve me gjendjen e tyre të vështirë disavjeçare ekonomike-sociale.

“Ky marsh ka për qëllim faktorizimin e këtij grupi të interesit josindikal, që thirren në organizimin sindikal, pa iu nënshtruar asnjë dokumenti dhe ligji për organizimin sindikal, duke qenë edhe ndesh me to”, tha kryetari Bajrami.

Me këtë rast, udhëheqësit e Sindikatës së QKUK-së, Bajrami i quajti grupe të interesit.

Përfshirjen e BSPK-së në Federatë, FSSHK-ja vlerëson se kryetari i kësaj sindikate ka shkelur Statutin e BSPK-së, ka cenuar integritetin e FSSHK-së dhe ka tentuar përçarjen e organizimit sindikal të FSSHK-së.

Rrogat aktuale të disa kategorive:

Mjeku specialist ka pagë prej 273 eurosh, ndërsa me ngritje ajo kalon në 344 euro (apo 26.08 për qind ngritje);

Mjeku jospecialist ka pagë prej 234 eurove, me ngritje do ta ketë 301 euro (28,76 për qind ngritje)

Specializanti prej 234 kalon në 301 (28.76 për qind)

Udhëheqësi i Infermierisë prej 195 në 258 (ngritja 32.5 për qind)

Infermierja prej 175 kalon në 237 (apo 35 për qind ngritje)

Tekniku mjekësor prej 195 kalon në 258 (apo 32.5 për qind ngritje)

Farmacisti prej 234 kalon në 301 (apo 28 për qind ngritje)

Punëtori i thjeshtë prej 130 kalon në 187 (apo 43,7 për qind ngritje)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›