E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkupi dhe Prishtina nisin takimet për demarkacionin e kufirit

• Në Kosovë është zhvilluar dje takimi i parë i komisioneve teknike të Prishtinës dhe Shkupit për demarkacionin e vijës kufitare me Maqedoninë, i cili është moderuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe ka qenë i mbyllur për mediat.

Në një njoftim të shkurtër të Zyrës Civile Ndërkombëtare thuhet se “Dy delegacionet, të përbëra nga 5 anëtarë, e kanë diskutuar rrugën për të vazhduar përpara. Komisioni i përbashkët teknik do të mbajë takimin e radhës në ditët në vijim”. Por, sipas kryetarit të komisionit të Prishtinës, Bekim Çollaku, para fillimit të takimit “pala kosovare është e interesuar që prona e qytetarit të Kosovës të mos bëhet pronë e dikujt tjetër”. Ai shtoi për mediat kosovare  se bisedimet me Shkupin do të jenë të gjata dhe nuk do të jenë të lehta, por kishte bindjen se do të gjendet një marrëveshje. Sipas Çollakut, nëse komisioni teknik nuk arrin ndonjë marrëveshje, atëherë do të kërkohet ndihmë nga nivelet më të larta politike. Këto komisione do të bëjnë shënimin e kufirit midis dy vendeve dhe kjo çështje është paraparë edhe me planin e Ahtisarit. Bisedimet teknike mes Prishtinë dhe Shkupit janë cilësuar si teknike dhe pritet të zgjasin një vit e më tepër. Bisedimet më tepër kanë të bëjnë për një sipërfaqe prej rreth 2 500 hektarësh, të cilat janë shndërruar në kontest midis Kosovës dhe Maqedonisë, si pasojë e një marrëveshjeje të Beogradit dhe Shkupit, të vitit 2001. Çështja e demarkacionit u aktualizua nga ana e Shkupit në kohën kur Maqedonia do të duhej t’u bashkohej vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Takimi i ardhshëm i dy komisioneve do të mbahet në Shkup.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›