E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre skulpturat që do të rikthehen

• Denoncimet për vjedhjet dhe grabitjet e objekteve kulturore kanë qenë të shumta.

ANILA MEMA

Para pak kohësh Kishës së Shën Kollit në Vanaj të Fierit, iu vodh dera me gjithë mbishkrimin e saj, 18 ikona të vogla iu vodhën Kishës së Labovës së Kryqit, kohë më parë u bë me dije se nga Instituti i Kulturës Popullore mungonin rreth 200 objekte. Shifra jo të pakta për vendin tonë. Denoncimet për vjedhje janë të shumta, veç jo gjetjet. Vetëm para pak kohësh nga Greqia u rikthyen në muzeun arkeologjik të Butrintit dy vepra të vjedhura vite më parë, shtati i Apollonit si dhe shtati i Artemisit. U fol gjatë për rikthimin e tyre, por vjedhësit nuk u diskutuan asnjëherë. Dhe kjo rrallë, ose aspak ndodh. Tre objekte të tjera, (numër qesharak përballë rreth 200 objekteve të humbura, të vjedhura e zhdukura në vitin 2007) mendohet të riatdhesohen. Dy sërish nga Greqia, një statujë vajze dhe shtatin e Afërditës pa kohë, që i përkasin shekullit VI-IV para Krishtit, si dhe nga Italia Koka e Zeusit të Ascleptusit e periudhës helenistike. Koha nuk dihet, gjithçka nga Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore është bërë gati. Kartelat, fotografitë apo edhe të dhënat përkatëse për këto objekte gjenden të afishuara në pasaportat e çdo objekti. Gjithë informacionin dhe fotografitë për këto tre objekte që pritet t’i kthehen shtetit shqiptar, po ua servirim sot. “Janë gjëra burokratike, priten që këto kthime të bëhen zyrtarisht dhe me vizita po zyrtare. Skulptura nga Italia mendohet të kthehet në kohën kur Presidenti Bamir Topi të vizitojë këtë vend. Por s’dihet se kur”, bën me dije drejtori i QIKP-së, Izet Duraku. Por a mjafton vetëm një pasaportë me të dhëna për objektin, një fotografi, një periudhë që i përket?! Natyrshëm drejtori i kësaj qendre hedh dyshimin se gjatë rikthimit a kthehen në të vërtetë ato vepra të humbura, apo kopjet e tyre? E gjithçka kërkon një verifikim të detajshëm. Po si? “Ne nuk mund ta vërtetojmë dot këtë gjë, sepse ne nuk mund të realizojmë dot analiza kimike. Në institut nuk ka laborator të posaçëm për të kryer të tilla analiza, siç bëhen në botë, se me çfarë guri është punuar objekti, kur është bërë, si është bërë, dhe a përkojnë këto me të dhënat që jepen në pasaportë”, shton Duraku për gazetën. Por problemi për parandalimin e vjedhjeve dhe trafikimit të vlerave kulturore nuk qëndron vetëm në këtë pikë. Duraku bën me dije se në QIPK nuk janë kataloguar të gjitha objektet që ndodhen të paktën në institucionet shtetërore, ndonëse insistimi i tij ka qenë i herëpashershëm. “Iu kemi bërë shkresa të ndryshme pothuaj gjithë institucioneve kulturore, drejtuesve të zyrave rajonale të monumenteve të kulturës, të na sjellin CD me fotografi të objekteve dhe përshkrimet përkatëse për t’i kataloguar dhe ende asgjë nuk ka ndodhur nga ana e tyre. Të pakta kanë qenë regjistrimet”, thotë Izet Duraku, sipas të cilit ky është një tjetër problem, në momentin kur denoncohen vjedhje. “Grabitjet e ikonave të Labovës për fat të keq nuk kanë qenë të inventarizuara dhe ne mezi kemi arritur të afrojmë dokumentacionin për këto humbje, për të cilat deri tani nuk ka asnjë shenjë. Ne i kemi denoncuar këto vjedhje, kemi gjetur dokumentimin fotografik, përshkrimet shkencore dhe i kemi denoncuar në sektorët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në doganë dhe presim ndonjë lajm. Shpresojmë që këto objekte të mos dalin jashtë vendit”, thekson Duraku, megjithëse për të rivlerësimi i objekteve do të ndalte më tej trafikimin e veprave. “Kemi kërkuar vazhdimisht që të bëhet rivlerësimi i objekteve kulturore që disponon çdo institucion, sepse vjedhjet që kanë ndodhur unë i konsideroj pa frikë vjedhje të paralajmëruara me kohë. Për shkak se çmimet që ruhen në bazë të inventareve të bëra vite më parë janë çmime krejt qesharake, çmime që i përkasin periudhës së komunizmit, para 1990, që janë krejt të papërfillshme me tregun e sotëm. Dhe këto lloj çmimesh nxisin në një farë mënyre abuzivizmin, veprimtarinë e dëmshme dhe ky lloj çmimi nuk shërben për t’i ruajtur, por për t’i tjetërsuar. Të vlerësuar me 50 lekë a 60 lekë, në muzeun e Vlorës p.sh., gjithë objektet shkojnë tek 3 milionë lekë të vjetra. Detyrimisht për këtë lloj vlere nuk mund të paguash një roje për muzeun, po aq edhe një punonjës që t’i sistemojë, t’i inventarizojë, nëse do të bëhet rivlerësimi, atëherë kujdesi do jetë më i madh”, thotë drejtori i QIPK, Izet Duraku.

Trafikimi me valixhe

“Përsa i përket vjedhjeve, ne i denoncojmë, por jo gjithmonë të gjitha, sepse është e pamundur t’i marrim vesh. Në shumë raste nuk kemi vepra të regjistruara në QIPK dhe kjo krijon tjetër problem. Para pak kohësh është bërë një inventar në Institutin e Kulturës Popullore, u zbulua se mungonin rreth 200 objekte, por ato mund të kenë humbur brenda pesë vjetësh, kur është kryer edhe inventari i parë dhe një pjesë e këtyre vjedhjeve mund t’i konsideroj pa frikë vjedhje të paralajmëruara me kohë, për shkak se çmimet e këtij inventari që ruhen, janë çmime krejt qesharake të periudhës së komunizmit. Padyshim për denoncimet ne kemi  lidhjet tona me Interpolin, doganat dhe objektet që dalin në rrugë normale, zbulohen. Por nëse trafikohen brenda valixheve, mes rrobave, normalisht nuk bëhet ndonjë skaner”, thotë Duraku.

Zbulohet i plotë mozaiku i Elbasanit
Dy arkeologë të Institutit Arkeologjik në Tiranë kanë mbërritur  dje në qytetin e Elbasanit dhe kanë nisur gërmimet për zbulimin e pjesës tjetër të mozaikut të zbuluar disa muaj më parë në qendër të qytetit, shumë pranë “Rrapit të Bezistanit”. Punimet e fazës së dytë janë përqendruar në vendin e quajtur “dyqani i Sulë Shikut”. Drejtori i Muzeut Etnografik në qytetin e Elbasanit, Kreshnik Belegu, tha se “ishte pikërisht një dokument i arkivuar në Muzeun Etnografik të këtij qyteti, ku vetë tregtari Sulë Shiku kishte deklaruar asokohe (vitet 1930) se shumë pranë bodrumit të dyqanit të tij ndodhej një mozaik i stilit romak, i cili mendohet se i takon shekullit të katërt të erës sonë. Arkeologu Elio Hobdari dhe specialisti i mozaikëve, Agron Islami, thanë se “tashmë kemi nisur gërmimet në bodrumin e këtij ish-tregtari, i cili ka qenë edhe iniciatori i zbulimit të kësaj bazilike në qendër të qytetit të Elbasanit”. Ndër të tjera Islami ka deklaruar se “është akoma herët për të thënë diçka më tepër, pasi kemi vetëm dy ditë që kemi nisur punimet”.

Statuje vajze
I përket periudhës paraqytetare ilire e periudhës klasike të shekullit VI-IV para Krishtit. Kjo skulpturë i përket Muzeut Arkeologjik të Butrintit. Kjo statujë vajze ka qenë e vendosur në sitin arkeologjik të Finiqit në Sarandë. Pasi u gërmua, këto objekte dolën në sipërfaqe dhe nuk u prekën për të mos u prishur. Gjatë kësaj kohe, që i përket vitit 2002, u grabit rreth datës 25-26 shkurt. Dhe më vonë u panë të ekspozuara në shtypin  grek. Kjo statujë vajze është e punuar në mermer. Koka e saj është e ngjitur, ndërsa bazamenti është i ulët dhe i punuar njësh me trupin. Veshja është një mantel i lidhur lart me pala, të cilin e ngre me dorën e majtë. Dora e djathtë para gjoksit mban bririn e bollëkut. Në sup dallohen lidhëza.

Aferdita pa koke
Është një skulpturë paraqytetare ilire dhe i përket periudhës klasike të shekullit VI-IV para Krishtit. Edhe kjo skulpturë i përket Muzeut Arkeologjik të Butrintit. Kur zona e gërmimit ka qenë në periudhë punimesh dhe e pa eksploruar tërësisht, objektet në sipërfaqe u lanë pa u prekur sa të përfundonte i gjithë eksplorimi përpikmërisht dhe në atë kohë u grabit edhe ky objekt, në shkurt të 2002. Më përpara në këtë zonë është gjetur koka e Afërditës, e cila mund të jetë pjesë e kësaj shtatoreje dhe pikërisht për të bërë një vërtetim të tillë statuja nuk u lëviz nga vendi. Tani kjo vepër ndodhet në Greqi. 

Koka e Zeusit
Skulptura helenike që mban numrin e inventarit 60, e cila i përket Muzeut Arkeologjik të Butrintit, është vjedhur në 1991 dhe aktualisht ndodhet në Itali. Koka e Zeusit të Asckleptusit ka flokë kaçurrelë të gjatë, të cilat i mbulojnë komplet veshët. Sytë kanë formën e një bajameje dhe vetullat janë të gdhendura shumë qartë. Vetullat janë të drejta dhe pak të varura poshtë, ndërsa buzët janë të mbyllura plotësisht. Mustaqet janë sipër tyre dhe mbushin distancën nga hunda te buzët, pastaj varen poshtë duke u dredhur. Fytyra është e mbushur nga një mjekër e dendur dhe kaçurrele.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›