E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngrihet grupi i punës për vlerësimin e dëmeve në Shkodër e Lezhë

 Qeveria miratoi dje vendimin për të përcaktuar përbërjen e grupeve të punës, që do të vlerësojnë dëmet nga përmbytjet në Shkodër dhe Lezhë. Kështu këto grupe që do të punojnë në terren do të përbëhen nga specialistë të Ministrisë së Punëve Publike, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe ALUIZNI-t. Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Berisha tha se specialistët do të bëjnë një vlerësim real të të gjitha dëmeve. “Në vendim parashikohet vlerësimi i të gjitha dëmeve të bëra në ndërtesa, të reja apo të vjetra dhe mënyra e vlerësimit, vlerësimi i të gjitha dëmeve të bëra në stalla, hangarë dhe vathë, dhe mënyra e përllogaritjes, vlerësimi i të gjitha dëmeve të bëra në objektet sociale dhe publike, vlerësimi i të gjitha dëmeve të bëra në orenditë shtëpiake, pajisje elektroshtëpiake dhe orenditë e tjera, vlerësimi i dëmeve të bëra në të mbjella, në gjënë e gjallë, në bazën ushqimore të gjësë së gjallë”, theksoi kreu i ekzekutivit. Sipas tij “pra duhet të jetë vlerësimi më i ndershëm dhe real dhe duhet t’i përmbahemi asaj që ne duhet të ç’dëmtojmë të gjitha dëmet e krijuara. Natyrisht në objektet social-kulturore dhe disa dëmtime infrastrukturore, ministrive të linjës u kërkohet të riorientojnë fondet buxhetore të përcaktuara. Pra nuk do të jenë këto që do të mbulohen me një fond emergjence, pra do të jenë ministritë që do të bëjnë një rialokim të fondeve të buxhetit të parashikuar në drejtim të kësaj zone. Unë edhe një herë e gjej rastin të shpreh falënderimin tim më të përzemërt ndaj qytetarëve të zonave të përmbytura, ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur që kjo katastrofë ekologjike të mos ishte një katastrofë njerëzore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›