Tryeza LSI-PDU, Meta pakt bashkëpunimi me çamët
çështja çame hyn zyrtarisht në axhendën politike të shumicës aktuale në pushtet. Një takim i djeshëm i kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, njëkohësisht zv.kryeministër dhe ministrit të Jashtëm dhe kreut të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka formalizuar bashkëpunimin parlamentar dhe më gjerë të këtyre dy forcave politike që detyrimisht kalon nga trajtimi institucional i problemit çam. Kjo gjë, në fakt është pohuar në ligjëratë të drejtë edhe nga ministri i Jashtëm shqiptar, në një qëndrim që e ripërmason angazhimin e Shqipërisë në këtë drejtim. “...Ju e dini që kjo është një forcë politike e cila ka dhe një prioritet të veçantë që ka të bëjë, pikërisht me të drejtat e cenuara të komunitetit çam. Qëndrimi i LSI-së është shumë i qartë, se këto janë në radhë të parë të drejta të njeriut...E theksoj dhe një herë, në radhë të parë janë të drejta të njeriut që do të ndihmohen veçse nga përmirësimi dhe përforcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira midis Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh Meta. Në të njëjtën linjë gjykimi u shpreh edhe Idrizi, i cili është përfaqësuesi më i lartë politik i interesave të komunitetit çam. Duke marrë parasysh se bashkëpunimi i sanksionuar dje do të çojë drejt krijimit të një grupi parlamentar duhet thënë se në lidhje me trajtimin e problemit çam, ky riformatim parlamentar e ridimensionon qëndrimin politik rreth problemit në fjalë. Megjithatë Meta është kujdesur që të nënvizojë se angazhimi politik do të shmangë retorikën nacionaliste për ta adresuar problemin në kufijtë e kartave për të drejtat e njeriut. Teorikisht, por edhe praktikisht, rëndësia e këtij akti lidhet jo vetëm me statusin e Ilir Metës në qeveri, por edhe pse ky bashkëpunim medoemos është një sinjal për hapjen e çështjes në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Thënë ndryshe, ky moment mund të konsiderohet si thyerja e heshtjes së mbajtur deri më tani nga Tirana zyrtare. Sesa përbën ky hap dëshminë e një ekuilibri të ri në raportet mes dy vendeve, kjo është ende herët për ta thënë, por diçka mund të kuptohet nga deklarimet e kreut të PDU, Shpëtim Idrizi. Ky i fundit ka kërkuar barazi në marrëdhënie, duke e konkretizuar këtë të drejtë me kërkesën që i duhet bërë Athinës zyrtare për një varrezë të çamëve të vrarë në territorin e Greqisë. “...do ta intensifikojmë kërkesën tonë për ngritjen e varrezave për popullsinë e martirizuar çame, si në Greqi ashtu dhe në territorin shqiptar”, deklaroi deputeti Idrizi në prani të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta. Nga ana tjetër, ai ka shtuar se komunikimi me LSI kushtëzohet nga përfshirja në programin e saj të problemit çam, një tjetër tregues ky se bashkëpunime të kësaj natyre bartin me vete potenciale elektorale me vlerë.
#