Polici rrugor kapet me ryshfet
Dashamir Biçaku
Një punonjës i Policisë Rrugore u arrestua menjëherë sapo mori 40 mijë lekë të vjetra ryshfet nga drejtuesi i një makine, të cilit i ishin bllokuar dokumentet tri ditë më parë. Në këmbim të kthimit të dokumenteve të bllokuara privatisht nga polici, shoferit të makinës i ishte kërkuar të paguante një shumë prej rreth 4 mijë lekësh të reja. Bujar Meta, 44 vjeç, banues në Tiranë, efektiv i seksionit të linjave në Komisariatin e Policisë Rrugore në kryeqytet, është arrestuar nga oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) me akuzën e mitmarrjes. Arrestimi i tij është bërë i ditur për gazetën “Panorama” nga burime të policisë, të cilat pohuan se Bujar Meta kishte bllokuar lejen e qarkullimit dhe patentën me pretendimin për një shkelje të kryer nga drejtuesi i mjetit, Kristian Velço. Sipas burimeve zyrtare, efektivi i seksionit të linjave të Policisë Rrugore ia kishte bllokuar dokumentet javën e shkuar, duke pretenduar se kishte gjetur shkelje në dokumentacionin e makinës. Pasi i ka bllokuar dokumentet, efektivi i rrugorëve i ka pohuar drejtuesit të mjetit se ato nuk ishin të rregullta dhe për këtë duhej të paguante një gjobë ose të dilte në komision. Por që prej kohës kur ishin bllokuar dokumentet më 23 tetor deri të martën e javës së kaluar, asnjë prej dokumenteve të bllokuara nuk kishte përfunduar në zyrat e Komisariatit të Policisë Rrugore për të proceduar me masat administrative. Sipas burimeve, efektivi i kishte mbajtur vetë dokumentet e bllokuara këtij personi. Për t’i dhënë dokumentet, Bujar Meta i kishte kërkuar drejtuesit të makinës një shumë prej 5 mijë lekësh të reja, në këmbim të kthimit të patentës dhe lejes së qarkullimit. Pasditen e të martës, rreth orës 17:00, Kristian Velço ka komunikuar me policin 44-vjeçar Bujar Meta. Ata kanë lënë takimin në afërsi të kthesës së Kamzës, ku polici ishte me shërbim. Më parë ai kishte bërë një denoncim në strukturat e SHKB-së, të cilët kanë organizuar shërbimin për arrestimin në flagrancë të policit. Pas një bisede të shkurtër mes tyre, personi ka nxjerrë paratë nga xhepi, të cilat ia ka paguar policit. Efektivi blu i ka kthyer personit dokumentet që i kishte bllokuar një javë më parë. Pas këtij veprimi, efektivët e SHKB-së kanë ndërhyrë duke arrestuar në flagrancë kolegun e tyre me akuzën e mitmarrjes.