“Të jetosh në ishull”,Blushi: Përgjigje empirike pyetjeve të historisë
Përgjigje për pyetjet që historia nuk ka mundur t’i japë. Pse shqiptarët u konvertuan në myslimanë, përkundër popujve të tjerë, të cilët gjithashtu ishin nën pushtimin osman prej 400 apo 500 vjetësh. Pse Shqipëria i pranoi më lehtë institucionet turke dhe pse pavarësia erdhi më vonë se në vendet e tjera. Për Ben Blushin, “Të jetosh në ishull” është pikërisht kjo tufë përgjigjesh empirike. Pas debateve jo të pakta që ngjalli romani i politikanit, dje në ambientit e Universitetit Evropian të Tiranës u zhvillua takimi “Letërsia si histori”, për të diskutuar mbi raportin mes historisë dhe letërsisë. Ben Blushi ndodhej përballë historianëve dhe studentëve të Shkencave Politike, të cilët i drejtuan jo pak pyetje. Kur një shkrimtar shfrytëzon për një vepër të vetën një sfond historik, e aq më tepër emra të njohur të historisë, më të ndjeshmit janë pikërisht historianët. Një nga historianët tanë më të mirë të Periudhës Osmane, Dritan Egro, thotë se nëse libri do të kishte shfrytëzuar faktet historike të pranuara nga të gjithë, atëherë ai do të ishte më i pëlqyeshëm. Sipas Egros, autori ka bërë shumë abstragime, megjithatë është e drejta e krijuesit të ndërtojë historinë e tij ashti si e mendon. Megjithatë ai ishte i interesuar të mësonte nga autori se sa është konsultuar ai me historinë dhe sa i ka shërbyer ajo. Blushi edhe një herë përsëriti se nuk bëhet fjalë për një libër historik, edhe pse viti, të cilit ai i referohet 1769, është një nyjë historike (djegia e Kostandinopojës dhe superioriteti që Ali Pasha fiton aso kohe). Ajo që i ka vënë historianët “kundër” këtij romani është vendosja në qendër të ngjarjeve të një familjeje të njohur, siç është ajo e Komnenëve dhe personazhi kryesor është pikërisht Arianit Komneni. Nga shek. XII-XV, kur kjo familje kishte pozita të forta në territoret shqiptare, sidomos në periudhën e Skënderbeut, Blushi e zhvendos atë në shek. XVIII dhe i vesh Arianitit tiparet e një intelektuali që largohet nga Shqipëria, sepse aty nuk ka më shtratin e duhur për të jetuar. Një fakt fatal që e ka ndjekur gjithnjë Shqipërinë. Autori shoi gjithashtu kureshtjen e të pranishmëve mbi ngasjen që ka patur për të realizuar një libër të tillë. “Frymëzimi vjen nga kurioziteti dhe ky i fundit nga diçka që nuk mund ta shohim”, tha Blushi. Ai tha se mund të shkruante një histori tranzicioni, me vajza të trafikuara, por kjo ndoshta nuk do të ngjallte shumë interes, pasi njerëzit jetojnë me këtë realitet. Është kjo periudhë e largët historike, pak e njohur dhe e servirur nën frymën e Rilindjes e më pas të komunizmit, që ngre shumë pikëpyetje. Është ky problemi i historiografisë shqiptare, së cilës sipas Blushit nuk i ka munguar mendimi, por burimet shkencore në kohën e diktaturës, ndërkohë që sot vuan nga autocensura. Ndërkaq letërsia është e çliruar tashmë nga kufijtë. Nëse fizikisht nuk mund të kthehet dot pas në kohë, nëse nuk mund të shkojë ku të dojë, këtë mund ta bëjë duke shkruar, por sipas Blushit edhe kjo ka “sekretin” e vet. Imagjinata në letërsi është e pëlqyeshme, kur ajo i “nënshtrohet” kontekstit historik.
A. M