Prokuroria kërkon ekstradimin, gjykata angleze cakton seancën
LONDER - Gjykata britanike pritet të zhvillojë një seancë për të vendosur mbi çështjen e identitetit të Ilir Kumbaros, ish-agjenti i SHIK-ut shqiptar, të kërkuar nga Interpol Tirana për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Pas arrestimit të tij në Londër pak ditë më parë, Ilir Kumbaro rezulton me dokumente çeke, mbi bazën e të cilave ka përfituar azil politik në Angli prej 13 vitesh. Nga ana tjetër, Prokuroria shqiptare deklaroi dje se gjykata në Londër pritet të marrë veç çështjes së identitetit edhe një vendim lidhur me kërkesën shqiptare për ekstradimin e Ilir Kumbaros në Tiranë. Një proces gjyqësor po zhvillohet ndaj tij në mungesë, ku Kumbaro akuzohet se bashkë me tre ish-kolegë të tij në Shërbimin Informativ ka rrëmbyer e keqtrajtuar Remzi Hoxhën dhe dy persona të tjerë të ndaluar nga agjentët sekretë në tetor 1995. Prokuroria shqiptare konfirmoi se me anë të letër-porosisë, autoriteteve britanike u është dorëzuar kërkesa për ekstradimin e të arrestuarit në Tiranë. Por qëndrimi i Ilir Kumbaros në Angli me dokumente false dhe me identitetin e rremë të një shtetasi çek, e ka vështirësuar çështjen. Edhe pse ka kaluar një javë nga arrestimi, Ilir Kumbaro këmbëngul para hetuesve dhe policisë angleze se është një shtetas çek, duke mos pranuar identitetin e tij shqiptar. Më 6 tetor 2008, pas një procesi të hapur ndaj tij nga policia, gjykata u shpreh se Ilir Kumbaro nuk arriti të provonte vërtetësinë e identitetit çek me të cilin qëndronte në Angli. Megjithatë në një seancë që pritet të mbahet së shpejti në Londër, gjykatat pritet që përfundimisht të shprehen lidhur me këtë çështje, e cila më pas mund t’i hapë rrugë ekstradimit të Ilir Kumbaros në Tiranë, për të qenë i pranishëm në gjyqin që po zhvillohet në mungesë te Krimet e Rënda. Policia ka publikuar faktin se gjatë kontrolleve në banesën ku qëndronte Kumbaro u gjetën dhjetëra dokumente false.