Stafilokoku, pneumonia ndër pasojat kryesore
AIDA MALAJ
Me fillimin i shkollave, kopshteve dhe çerdheve kërkon kujdes të veçantë për mbrojtjen nga sëmundje që shkaktohen nga bakterie të ndryshme, përfshi stafilokoku. Ndërlikimet serioze që mund të shfaqen nga mostrajtimi i tij, mund të çojnë në pasoja serioze, ndaj kërkohet vëmendje e veçantë, sidomos nga prindërit. Në një intervistë për "Panorama", mjeku pediatër Arben Kavaja, tregon se si çfarë rrezikohet nga stafilokoku, çfarë masash duhen marrë dhe çfarë duhet bërë për të mbrojtur fëmijët?
Doktor, çfarë është stafilokoku dhe ku gjendjet zakonisht?
Stafilokoku është një bakterie që shkakton sëmundje infektive. Ky mikrob gjendet normalisht në hundë dhe në lëkurën e njerëzve të shëndoshë në rreth 20-30 përqind të rasteve. Po kështu në përqindje më të lartë gjendet në personelin mjekësor dhe të pacientët e spitaleve.
Ju thatë se ky lloj mikrobi gjendet kudo, kush mund të preket më tepër?
Njerëzit më të predispozuar për t'u infektuar nga stafilokoku janë të porsalindurit, mamitë, të sëmurët me grip (influenza) të sëmurët me sëmundje kronike të mushkërive, të sëmurët me tumore, me leuçemi, njerëz që kanë bërë transplante, ata që kanë pësuar diegie, të sëmurët me Diabet Mellitus, ato që mjekohen me kortizonik, me rreze, të sëmurë që mjekohen për kancer etj. Pra, në përgjithësi ata që kanë një sistem imunitar mjaft të dobët.
Si mund të përhapet ky infeksion tek personat e sëmurë?
Rruga më e mundshme e përhapjes së infeksionit nga një pacient te tjetri, janë duart e personelit mjeksor që siç thamë më sipër janë në një pjesë të tyre bartës të stafilokokut.
Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqen nga ky mikrob?
Nga stafilokoku shkaktohen sëmundje që prekin disa organe kështu mund të shkaktojnë: abcese, pneumoni, osteomyelitis, endokardite, gastroenterite, enterekolite, etj.
Si shfaqet sëmundja te femijët?
Tek të porsalindurit, sëmundja zakonisht shfaqet mbas javës së 6-të dhe shfaqen me lezione në lëkurë, në formën e bulzave, apo pustulave në pjesë të trupit si në sqetulla, në pjesën inguinale (rrëzë kofshës), në qafë etj, të cilat mund të komplikohen më sëmundje të mushkërive, me meningitis, bakteriemi.
Kush preket tjetër?
Nga infeksionet stafilokoksike mund të preken nënat pas lindjes, pasi mund t'u shkaktohet infeksion të gjirit (Mastitis) sidomos brenda muajit të parë pas lindjes. Po ashtu personat që kanë pësuar një ndërhyrje kirurgjikale. Plagët post-operative mund të infektohen nga stafilokoku, kur operacioni nuk është kryer në kushte sterilitetit optimal.
Çfarë ndërlikimi mund të shfaqë infeksioni stafilokoksik?
Nëse nuk bëhet mjekimi i duhur për të evituar komplikacionet nga infeksioni stafikoksik, mund të ndodh Sindromi Shokut Toksik (SST). Ky sindromë karakterizohet nga temperatura e lartë 39-40 gradë, dhimbje koke, skuqje të syve, përgjumësi, të vjella, heqje barku, skuqje të lëkurës(RASH), që shpesh këto shenja janë të parikthyeshme. Vdekshmëria në këto raste mund të variojë nga 8 deri në 15 përqind të rasteve.
Po ushqimet ndodh të kontaminohen nga ky mikrob?
Po. E rëndësishme për tu përmendur helmimi nga ushqimet e kontaminuar me stafilokok. Kjo ndodh kur ushqimet e prekur nga njerëz që bartin këtë mikrobë janë konsumuar në kushte jo të mira. Helmimi fillon 2-8 orë pas konsumit të ushqimit me të vjella të forta, heqje barku, dhimbje barku që mund të zgjasin 3-6 orë dhe zakonisht përfundon shpejt (3-6 orë) me shërim të plotë. Raste fatale mund të ndodhin në fëmijët e vegjël në të vjetrit dhe të sëmurë kronik.
Si trajtohen këto lloj infeksionesh?
Trajtimi i infeksioneve stafiloksike bëhet me antibiotikë të grupit B-laktam si: Augmentina por edhe nga grupe të tjera antibiotikëve në varësi të përgjigjes nga antibiograma duke u shoqëruar me përpunimin e vatrës nga mund të ketë burimin infeksioni stafilokoksik. Rastet e Sindromit të Shokut Toksik duhet të trajtohet në kushte hospitaliere.
Çfarë kujdesi mund të bëhët për fëmijët në shkolla dhe çerdhe, ku ata qëndrojnë në kolektiva?
Rekomandimi i parë është kujdesi në higjenën personale. Në literaturë rekomandohet që fëmijët në ambjentet e klasave apo të kopshteve e çerdheve, të kenë duart e lara dhe çdo objekt i klasës të ketë një picet njëpërdorimshme për pastrim. Në studimet e bëra në shtete të zhvilluara, është vërtetuar se përdorimi i një picete në një klasë (janë piceta të pregatitura me lëndë disinfektuese) për shumë objekte të një klase, mund të shpërndahet stafilokoku nga një objekt i klasës në një objekt tjetër të së njëjtës klasë. Ky studim u bë për faktin se megjithë masat higjenike që ishin marrë, sëmundjet nga Stafilokoku, vazhdonin të kishin të njëjtën përqindje përhapje, ndërsa përdorimi i picetave, uli në mënyrë të ndjeshme përqindjen e nxënësve që vuanin nga sëmundje të shkaktuara nga Stafilokoku.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se në shkollat tona këto masa janë të parealizueshme, kështu që edhe mundësia për shfaqjen e sëmundjeve që shkaktohen nga Stafilokoku kanë qenë dhe do të jenë në përqindje të lartë. Unë do të këshilloja që çdo nxënës të përdorë kartpiceta për pastrimin e ambientit të tij, të laj duart me sapun (higjienë individuale), ndërsa drejtoritë e shkollave të marrin masa për të zbatuar ato detyra që janë përcaktuar nga Drejtoria e Higjienës së qytetit përkatës (për higjienën kolektive).