E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici rrugor rrëfen “betejën” e Ilir Pajës me agjentët e rendit

 

TIRANE – Polici rrugor Rifat Cahani e kishte parë me sytë e tij ngjarjen e 6 marsit 2008, te Farmacia 10 në Tiranë, ku polici special B.H. përfundoi poshtë gomave të një automjeti. Në seancën e djeshme në ngarkim të Ilir Pajës, i akuzuari i prokurorisë për këtë ngjarjes, Cahani, dëshmitar okular, tregoi me detaje gjithë ç’kishte parë. Sipas dëshmisë, Cahani ishte me shërbim pranë Farmacisë 10, kur kishte parë një automjet tip “Benz” me targa të huaja që kishte prerë rrugën në mënyrë të tërthortë. “Nga ‘Benz’-i doli drejtuesi i saj, i cili iu drejtua makinës pas saj. Mendova se ishte ndonjë zënkë mes shoferësh nga ato që ndodhin shpesh në trafik. Por makina që ishte pas, një “Fiat puno” lëvizi indietro me shpejtësi. Pashë që pas saj ishte një person me motor”, tha dëshmitari. Cahani tregoi dje se ai i kishte bërtitur me fjalë dhe veprime drejtuesit të “punto”-s se kishte një motor prapa. “Ai nuk ndaloi por e përplasi motorin, i cili u fut nën makinë. Më pas makina kaloi trafikndarësen e rrugës. Ndërsa motori ngeci te trafikndarësja, personi ngeci nën makinë derisa ajo u përplas me një autobus urban të ndaluar në stacion”, tregoi polici rrugor. Në dëshminë para togave të zeza, Cahani tha se në momentin e përplasjes së motorit nga automjeti “Fiat puno” kishte dëgjuar krisma armësh. “Dëgjova krisma armësh, të cilat nuk e mora vesh se nga erdhën”, tha dëshmitari. Në vijim dëshmitari kishte njoftuar sallën operative të policisë, ndërsa me disa persona të tjerë kishte nxjerrë personin e plagosur nga poshtë makinës dhe e kishin nisur për në spital. Ngjarja për të cilën akuzohet Ilir Paja ndodhi në shkurt të vitit të kaluar. Teksa ishte person në kërkim, ai plagosi rëndë duke e përplasur me makinë një punonjës policie. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ai akuzohet për “vrasje e mbetur në tentative për shkak të cilësive të veçanta”.              ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›