E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, gati lista e re

 

Trazhgim Sokolaj

Ministria e Drejtësisë tha se do të dërgojë brenda pak ditësh për miratim në Qeveri, një listë të dytë me 3-4 mijë emra të përndjekurish politikë. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, e cila konfirmoi se pas listës së parë me 1699 emra ish-të përndjekurish, e cila u miratua më 20 dhjetor 2008, lista e dytë është në fazën e fundit të verifikimit dhe më pas do të dërgohet në Këshillin e Ministrave për miratim. “Këto ditë pritet të dërgohet pranë Këshillit të Ministrave për miratim një listë e dytë përfituesish prej 3000-4000”, tha zyra e shtypit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas burimeve jozyrtare nga ky dikaster, lista e cila mendohet se do të ketë rreth 4 mijë emra, nuk ka përfunduar ende pasi priten konfirmime nga Arkiva e Shtetit për disa prej emrave që janë përfshirë në dokument. Me të marrë përgjigje nga Arkiva e Shtetit, në përputhje me rregullat ligjore të aplikimit dhe përfitimit, emrat do të konfirmohen ose do të hiqen nga lista e cila do të dërgohet në Qeveri për miratimin e dëmshpërblimit lidhur me secilin rast.
Aplikimet
Duke marrë shkas nga rasti i një ish të përndjekuri, i cili është trajtuar dje në media, Ministria e Drejtësisë sqaroi edhe njëherë procedurën e aplikimit për dëmshpërblim deri te përfshirja e emrit në listën që do të dërgohet në Qeveri. “Kërkesa e ish të dënuarit politik Dodë Veshtja është regjistruar rregullisht në regjistrat e Ministrisë së Drejtësisë dhe mban numrin 257. Struktura përgjegjëse ka kryer të gjitha veprimet ligjore, duke rakorduar informacionin me vetë ish të dënuarin, me burimet arkivore të vetë Ministrisë dhe me institucionet e tjera shtetërore–pjesë e këtij procesi”, tha zyra e shtypit. Sipas saj, ish i përndjekuri Veshtja është njoftuar zyrtarisht me shkrim “Njoftim për shqyrtimin në themel”. “Aplikimi i tij është i suksesshëm sepse vepra penale e kryer prej tij dhe lloji i dënimit janë politike. Aplikimi i këtij qytetari pritet të plotësohet vetëm nga përgjigjja konfirmuese, e detyrueshme sipas ligjit, e Arkivave të Shtetit”, shtoi më tej Ministria e Drejtësisë. Sipas saj, përgjigja konfirmuese nga Arkiva e Shtetit është kërkesë procedurale e ligjit çka në harmoni me kushtet tjera, e klasifikon aplikimin të suksesshëm.
Aplikimet
Në Ministrinë e Drejtësisë deri më 5 qershor 2009 janë depozituar dhe regjistruar 18954 kërkesa për dëmshpërblim financiar nga ish të përndjekurit politikë. “Nga këta person, 16 579 ishin regjistruar deri në datën 19 dhjetor 2008”, sqaruan burimet. Sipas tyre, të gjitha kërkesat janë regjistruar rregullisht dhe janë aktivizuar menjëherë në përputhje me kërkesat ligjore. Sipas Ministrisë, çdo ish i dënuar politik është njoftuar zyrtarisht me shkrim për çdo veprim të kryer me aplikimin e tij. Nga vetë parashikimet e ligjit, mbi të cilin bazohet dëmshpërblimi i ish të përndjekurve, Ministria tha se komunikimi me aplikuesit është kryer dhe vazhdon të kryhet me shkrim nëpërmjet shërbimit postar. “Qytetarët paraqiten pranë Ministrisë së Drejtësisë fizikisht, duke zgjedhur vetë të marrin informacionin në një rrugë të tillë. Pavarësisht njoftimit në kohë nëpërmjet shërbimit postar, Ministria e Drejtësisë është angazhuar maksimalisht që të sqarojë edhe cdo qytetar që paraqitet në zyrat e saj”, thanë më tej burimet.

Emrat, lista ende në ministri
Ministria e Drejtësisë konfirmoi dje se lista e re me emrat e personave që do të dërgohen në Qeveri për miratimin e dëmshpërblimit, ndodhet ende në fazën e verifikimit në këtë dikaster. Sipas burimeve zyrtare ecuria e aplikimeve ka qenë e ngjeshur ndërsa menjëherë pas regjistrimit të emrave kanë filluar procedurat e verifikimit dhe rakordimit të të dhënave me institucionet e tjera shtetërore dhe me vetë arkivën e Ministrisë së Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›