E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, 1700 punonjës të trajnuar në ‘08

 

TIRANE – Një numër për 1700 punonjësish të Policisë së Shtetit parashikohet të përfundojnë një cikël trajnimesh arsimore dhe profesionale gjatë vitit 2008. Një pjesë e mirë e këtyre programeve të trajnimit tashmë kanë përfunduar, ndërsa të tjera janë në vazhdim deri në fund të vitit, kur parashikohet që numri i punonjësve të trajnuar të arrijë në 1700. Ky është programi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Një pjesë e mirë e trajnimeve janë konceptuar dhe programuar në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare, që asistojnë policinë shqiptare ku përfshihen edhe vizita dhe praktika jashtë vendit. Ndërkaq pjesa tjetër e trajnimeve kufizohet brenda vendit me trajnim të punonjësve të Policisë së Shtetit në drejtim të veprimeve operacionale, përdorimit të metodave dhe mjeteve speciale dhe pajisjeve bashkëkohore, që tashmë bëjnë pjesë në infrastrukturën e policisë. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se programet e trajnimeve parashikohet të mos jenë vetëm një mundësi për pasurimin e njohurive të punonjësve të Policisë së Shtetit, por ato do të përdoren si element në vlerësimin për ngritje në gradë të efektivave blu, çka parashikon automatikisht ngritje në hierarkinë e policisë dhe në pagën mujore të efektivit përfitues. Zyrtarët e policisë thanë se programet e trajnimeve janë hartuar në një mënyrë të tillë, që të përfshijnë një numër të madh efektivesh policie, përfituesit të jenë nga sektorët kryesore që kanë peshë në luftën kundër krimit dhe dijenitë e reja, të jenë në përputhje me natyrën e punës që kryen efektivi blu në organikën e policisë. Kështu në varësi të sektorit ku janë punësuar dhe vazhdojnë detyrën e tyre, punonjësit do të përfitojnë trajnime me qëllim specializimin dhe përsosjen e veprimeve operacionale, ligjore dhe procedurale. Pjesa dërrmuese e trajnimeve janë konceptuar të zhvillohen në prani dhe nën drejtimin e specialistëve të huaj, që do të japin ndihmën e tyre dhe do të ofrojnë eksperiencat perëndimore për mënyrën se si trajtohen nga policitë e këtyre vendeve, problematikat e punës me të cilat përballet aktualisht edhe policia shqiptare. Zyrtarët parashikojnë se numri i të trajnuarve për 2008 nga radhët e policisë do të jetë më i larti i viteve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›