Vdekja e pacientit nga infeksioni në gjak, mjeku i Korçës në hetim
TIRANE - Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë është duke hartuar raportin përkatës të autopsisë mbi shkaqet e vdekjes pak ditë më parë të pacientit nga Korça, Sotiraq Naumi. Ai humbi jetën në Spitalin Ushtarak pas një mjekimi disa ditor në spitalin e Korçës, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për këtë ngjarje. Mësohet se personi ndaj të cilit po hetohet është mjeku i cili është kujdesur në spitalin e Korçës për pacientin 53-vjeçar, që gjeti vdekjen nga infeksioni në gjak. Specialistë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore pohuan dje se konkluzionet e ekspertizës mjeko-ligjore të viktimës do të dalin brenda javës së ardhshme. Sipas këtyre burimeve, në përfundim të ekspertizës raporti do të referohet më pas për shqyrtim në organin e Prokurorisë. Vdekja e këtij shtetasi është bërë shkak për hapjen e një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet se ngjarja ka ardhur prej një mjekimi të pakujdesshëm nga ana e mjekëve. Sipas të dhënave hetimore, Sotiraq Naumi, i cili vuante nga një sëmundje infektive, ishte trajtuar në spitalin e Korçës për të tjera shqetësime deri sa gjendja shëndetësore erdhi duke u përkeqësuar dhe ai u transportua në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku dhe ndërroi jetë pak ditë më parë. Për llogari të hetimeve për këtë çështje është sekuestruar edhe kartela mjekësore e 53-vjeçarit për të parë ekzaminimet dhe ilaçet që i janë dhënë atij, por dhe për të verifikuar nëse mjekët kanë përmbushur detyrën e tyre. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë, nën hetim është marrë edhe mjeku që trajtoi Sotiraq Naumin. Mjeku do të hetohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sipas të dhënave hetimore, më 20 gusht Sotiraq Naumi u paraqit në spitalin e Korçës me shqetësime temperature dhe iu nënshtrua disa analizave nga të cilat mjekët pretenduan se pacienti nuk kishte infeksion. Pas tre ditësh trajtim me ilaçe për probleme të tjera, 53-vjeçari është sjellë në gjendje “vdekje klinike” në Spitalin Ushtarak, ku humbi jetën 14 orë pas mbërritjes.