Policia, 250 mijë euro shpërblim për atë që jep të dhëna mbi autorin e vrasjes
Vihen në dispozicion edhe numrat e telefonit 069 41 03 251 dhe 069 41 07 507
TIRANE - Policia e Shteti ka vënë dje në dispozicion të zbulimit të atentatorit të vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi një shpërblim prej 250 mijë eurove. Policia garantoi
se informatorit do t’i ruhet anonimati.
“Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me institucione të tjera të zbatimit të ligjit po punon intensivisht për marrjen e informacioneve dhe analizimin e tyre me interes zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje shumë të rëndë. Për çdo informacion kontaktoni në numrat e telefonit 069 41 03 251 dhe 069 41 07 507”, deklaroi zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme së Policisë së Shtetit, Klodian Branko.
Që dje pasdite sipas burimeve policore ka pasur një fluks të lartë telefonatash në lidhje me këtë ngjarje. Duke iu referuar ngjarjes së rëndë, Branko theksoi se është ngritur menjëherë grupi hetimor nën drejtimin e drejtuesve të prokurorisë për krime të rënda, ekspertëve më të mirë të hetimit të krimit në policinë e shtetit, ekspertët të laboratorit shkencor, të institutit të mjekësisë ligjore, të strukturave të SHISH-it. Gjithashtu, të gjithë strukturat e policisë së shtetit kanë kaluar në shërbim të përforcuar për marrjen e masave kufizuese dhe kontrolluese të territorit ku mendohet të lëvizë ose strehohet autori i krimit të rëndë.
“Deri në këtë fazë të hetimit janë kryer këto veprime. Këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, sekuestrimi i katër bërthamave të predhave dhe pesë copë kamishave të predhave, sekuestrimi i një pako aspirinë tabletë, sekuestrimi i një qese plasmasi, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes. Të gjitha këto prova janë vënë menjëherë në dispozicion të Laboratorit Qendror Kriminalistik dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore për përpunime dhe ekzaminime krahasuese të mëtejshme shkencore”, theksoi zëdhënësi i policisë, ndërsa shtoi se gjatë natës së djeshme janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e dobishme të hetimit 10 shtetas.
“Është hetuar dhe po hetohet hollësisht mbi aktivitetin e ditës së djeshme dhe më parë të viktimës”, përfundoi Branko.