E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Aleksandër Keka, trafikant lëndësh plasëse

Autori i Lajmit: red.
Lënda plasëse që i mori jetën kryetarit të PDK-së për Shkodrën dyshohet se është trafikuar prej tij

Rreth katër orë pas shpërthimit të makinës së kryetarit të PDK-së për Malësinë e Madhe, policia e ka cilësuar atë si një prej eksponentëve të trafikut në Shqipëri. Aleksandër Keka ishte i skeduar nga policia lokale si edhe ajo qendrore si person me precedentë të theksuar kriminalë me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë. Këto fakte janë bërë publike dje në mesditë nga Policia e Shtetit gjatë një daljeje për shtyp në lidhje me versionin zyrtar mbi ngjarjen.

Akuzat

Policia e Shtetit kishte në listën e personave të skeduar Aleksandër Kekën, kryetar i PDK-së për Malësinë e Madhe. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit theksuan në njoftimin për shtyp të bërë publik pas shpërthimit të makinës së biznesmenit të ndërtimit të pallateve, se Aleksandër Keka, prej vitesh është evidencuar nga strukturat e policisë lokale e qendrore. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Keka ishte i skeduar si person me precedentë të theksuar kriminalë me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë.

Policia për ngjarjen

Rreth orës 09.45, në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik-Shkodër, mjeti Mitsubishi Pajero , me targë SH 2125 E është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë strukturat e policisë lokale që kanë konstatuar të vdekur drejtuesin e mjetit, shtetasin Aleksandër Prekë Keka, i vitlindjes 1975, lindur e banues në fshatin Pjetroshan, komuna Kastrat, Malësi e Madhe. Mjeti i sipërpërmendur është në pronësi të shtetasit Arben Bitani, i vrarë në vitin 2008, i njohur si ortak në biznes i shtetasit Aleksandër Keka. Për hetimin e kësaj ngjarjeje janë angazhuar ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Laboratorit Qendror Kriminalistik, të Njësisë Antieksploziv etj., nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›