E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogbi: PD, PS koalicionet dalin barazim

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot Partia Demokratike do të dalë fituese me 2 për qind përballa Partisë Socialiste. Ky është rezultati i nxjerrë nga sondazhi Zogbi International. Sipas këtij sondazhi PD siguron votën e 40 për qind të zgjedhësve ndërsa PS të 30 për qind prej tyre. Pas tyre renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 4 për qind dhe G99 me 2 për qind. Gjithë partitë e tjera marrin 1 për qind të votave ndërkohë që mbeten ende të pasigurt 8 për qind e votuesve dhe 2 për qind prej tyre refuzojnë të tregojnë se për kë do të votojnë. Por ndërkohë që në përzgjedhjen e partive PD del fituese nuk ndodh kështu me koalicionet. 1000 të anketuarit e pyetur se për cilin koalicion do të votojnë janë ndarë në mënyrë të barabartë mes “Aleancës së Ndryshimit” e kryesuar nga Partia Demokratike dhe “Bashkimit për Ndryshim” të kryesuar nga Partia Socialiste. Ndërkohë që 4 për qind prej tyre do të votojnë koalicionin “Aleanca Socialiste për Ndryshim” dhe 2 për qind koalicionin “Poli i Lirisë”. Lidhur me problemet kryesore shqiptarët vazhdon ti shqetësojë papunësia dhe ekonomia. Ndërkohë që shprehen optimist për të ardhmen.
Sondazhi
Partia Demokratike do të marrë mbështetjen e 40 për qind të votuesve shqiptarë nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot. Ky është rezultati i dhënë dje nga Zogbi International në emisionin Top Story. Ky sondazh tregon një rritje graduale të Partisë Demokratike nga muaji në muaj. Partia Socialiste ka marrë mbështetjen e 38 për qind të shqiptarëve, më shumë se në muajin prill por më pak se në mars. Lëvizja Socialiste për Integrim ka ardhur drejt rënies duke siguruar vetëm 4 për qind ndërsa G99 ka siguruar mbështetjen e 2 për qind të votuesve shqiptarë. Ndërkohë që këtë herë Zogbi International ka shtuar dhe një tjetër pyetje atë për koalicionet çka jep një rezultat ndryshe. Kështu në bazë të këtij rezultati “Aleanca e Ndryshimit” ka marrë mbështetjen 42 për qind të votuese po aq sa “Bashkimi për Ndryshim” dhe pas tyre “Aleanca Socialiste për Integrim” me 4 për qind dhe “Poli i Lirisë” me 2 për qind”. Lidhur me problemet që shqetësojnë shqiptarët 66 për qind e tyre janë të shqetësuar për papunësinë, 50 për qind për ekonominë, 50 për qind për varfërinë, 22 për qind për korrupsionin në Qeveri, 18 për qind për shëndetësinë, 16 për qind për infrastrukturën dhe shërbimet. Të pyetur se çfarë drejtimi po merr Shqipëria, 57 për qind e tyre mendojnë se po merr drejtimin e duhur, 32 për qind drejtim të gabuar. Këto vlerësime ndryshojnë nëse ndahen sipas mbështetësve të PD-së apo PS-së. kështu 52 për qind e mbështetësve të PS-së mendojnë se po merr drejtimin e gabuar, 34 për qind mendojnë se po merr drejtimin e duhur ndërsa 13 për qind janë të pasigurt. Ndërsa 86 për qind e mbështetësve të PD-së mendojnë se Shqipëria po merr drejtimin e duhur, 9 për drejtimin e gabuar dhe 6 për qind prej tyre nuk janë të sigurt. Sondazhit i është shtuar dhe një tjetër pyetje ajo se si e shikojnë situatën e tyre ekonomike në krahasim më 4 vite më parë. Të pyetur për këtë gjë 33 për qind e mendojnë atë të pandryshuar, 37 për qind më të mirë dhe 30 për qind më keq. Ndërkohë që shprehen optimist për të ardhmen. 70 për qind e tyre mendojnë se në 4 vitet e ardhme situata do të jetë më e mirë, 6 për qind mendojnë se do jetë më keq, 16 për qind se nuk do të ndryshojë dhe 8 për qind janë të pasigurt. Lidhur me vlerësimet për liderët e dy partive kryesore, 45 për qind e tyre vlerësojnë pozitivisht Sali Berishën, 53 për qind negativisht ndërsa 2 për qind të pasigurt. Ndërsa në vlerësimin për Ramën vihet re se vlerësimi negativ është 50 për qind ndërkohë që vlerësimi pozitiv është 46 për qind dhe të pasigurt 4 për qind. Paraqitet pozitive situata për pajisjen me dokumente identifikimi. 80 për qind e të anketuarve kanë pohuar se kanë pasaportë ose kartë identiteti, 10 për qind se kanë aplikuar për kartë ndërkohë që 8 për qind nuk kanë pasaportë por as nuk kanë aplikuar për kartë, shifër kjo që mund të ketë ndryshuar nga 10 qershori kur është mbyllur anketimi.

Për kë parti do të votoni?
PD 40 %
PS 38 %
LSI 4 %
G99 2 %
Të tjera 1 %
Të pasigurt 8 %
Refuzojnë të përgjigjen 2 %

Për kë aleancë do të votoni?
“Aleanca e Ndryshimit” 42 %
“Bashkimi për Ndryshim” 42 %
“Aleanca Socialiste për Integrim” 4 %
“Poli i Lirisë” 2 %

Pajisja me dokumente identiteti
80 për qind kanë pasaportë ose kartë identiteti
10 për qind kanë aplikuar për kartë
8 për qind nuk kanë pasaportë dhe nuk ka aplikuar
3 për qind të pasigurt

Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›