E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA kërkon kasetat e sfidave të Dinamos e Partizanit në Evropë

UEFA ndërhyn për të marrë në dorë kontrollin e situatës, pas fjalëve për fiksime rezultati të ndeshjeve të ekipeve shqiptare në Kupat e Evropës. 

Përmes një faksi të dërguar në FSHF, organizmi më i lartë i futbollit të kontinetit të vjetër ka kërkuar kasetat e sfidave të luajtura gjatë muajve qershor-korrik nga Dinamo, Partizani e Besa. Për takimin e Dinamos në turin e parë të Ligës së Kampionëve ndaj boshnjakëve të Modricës ishte shtypi danez ai që ngriti tymnajën, duke aluduar për  paracaktimin e rezultatit. Përsa i takon impenjimit të Partizanit kundër Shirokit, në sfidën e vlefshme për turin e parë eliminator të Kupës UEFA, ishte vetë presidenti Albert Xhani që nxiti hetimin, me deklaratën e tij se futbollistët i shitën ndeshjen. Ajo që çudit është kërkesa për kasetën e ndeshjeve të luajtura nga Besa, që arriti të kapërcejë një tur të Kupës Intertoto, duke u eliminuar nga Grasshopersi. Me shumë mundësi, UEFA do të ketë patur ndonjë sinjal për sfidat e kavajasve, ndonëse nuk përjashtohet që vëzhgimi i këtyre takimeve të jetë thjesht për verifikim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›