E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Nuk do të pranojmë më bisedime për statusin e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka refuzuar në mënyrë kategorike çdo mundësi për të zhvilluar bisedime të reja rreth statusit të Kosovës. 

“Ne nuk do të pranojmë kurrë bisedime, që kanë të bëjnë me statusin e vendit. Asnjëherë nuk do të pranojmë të bisedojnë për asnjë temë dhe materie që ka të bëjë me statusin e vendit”, tha ai duke theksuar se statusi është çështje e përfunduar. Reagimi i Presidentit Sejdiu vjen ndërkohë që nga Beogradi po përmendet shpesh ideja se ka ende vend për bisedime të reja mes dy palëve, për të zgjidhur me mirëkuptim statusin dhe se Beogradi është gjithmonë i hapur dhe i gatshëm të bisedojë për këtë çështje. Zërat për negociata të reja janë shtuar edhe pas vizitës së kreut të UNMIK, Lamberto Zannier në Beograd. Presidenti Sejdiu ka theksuar edhe një herë se Kosova dhe Serbia mund të bashkëbisedojnë vetëm si dy shtete të pavarura, për çështje që janë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve. Sejdiu hodhi poshtë mundësinë e krijimit të policisë etnike serbe si dhe çfarëdo strukture që do të cenonte integritetin territorial të Kosovës dhe funksionimin normal të saj. “Institucionet e Kosovës nuk do të japin asnjë mbështetje që nënkupton ndarjen e Kosovës në çfarëdo forme. Kosova është unike, është e saktësuar edhe me kushtetutën e saj, por edhe në mbështetjen ndërkombëtare. Nuk ka asnjë qasje që mbështetë Kosovën që të jetë e etniteteve të veçuara, por ka karakterin e një shoqëria shumetnike”, tha ai. Presidenti i Kosovës shtoi se është e rëndësishme, që në Kosovë të krijohen mekanizma të përbashkët të pushteteve që bashkëpunojnë mirë me njëri-tjetrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›