E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare: Synoj të arrij Juven dhe Milanin

“Për mua është një sfidë e rëndësishme. 

 Kam besim se Lacio zotëron gjithçka për t’u bërë si Juventusi e Milani në planin e rezultateve dhe në atë të organizimit. Nuk shoh pengesa pse mund të mos arrijmë këto klube të mëdha”. Igli Tare flet hapur në një intervistë të dhënë për stacionin televiziv italian “RomaUno Tv”. Shqiptari, 35-vjeç, ka varur këpucët në gozhdë, por menjëherë është zgjedhur nga presidenti Lotito si ndërmjetës midis klubit dhe skuadrës. Lotito e deshi përkrah vetes, për një fillim të ri të Lacios. “Presidenti më tha se donte të më jepte këtë rol që dy vjet më parë. Ishte moment i duhur dhe e pranova me entuziazëm – shpjegon ish-sulmuesi -. Me teknikun Rosi bisedova që në ditën e parë të grumbullimit për të shmangur çdo keqkuptim”.
Po ju shkuat me pushime si futbollist. Madje në deklaratën e fundit që kishit bërë thatë se donit të vazhdonit të luanit. Ç’ju bëri të ndërronit mendje?
Ishte një zgjedhje jete. Ndershmërisht mendova për të ardhmen time. Mund të luaja ende edhe dy vjet me nivel të lartë, për të qëndruar gjithsesi më pas në botën e futbollit. Por më erdhi ky shans, aq më tepër me një klub si Lacio, që për mua përfaqëson një nder të madh. Prandaj nuk mendova dy herë dhe u vendosa në dispozicion për të kryer një punë sa më të mirë.
Gjatë kësaj kohe ju kemi parë të stërviteni me ish-shokët tuaj…
Sigurisht që kam pak nostalgji, por zgjedhja ime ka qenë shumë e vendosur. Kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me shokët e skuadrës, ndihem njëri prej tyre, por me rol tjetër. Më duhet të përballem me ata në mënyrë të vazhdueshme. Java e parë në grumbullim ka qenë pak anormale. Dalëngadalë u fiksua një marrëdhënie shumë e qartë, duke u mbështetur te cilësitë individale për të kuptuar dëshirat dhe nevojat e secilit. Qëllimi është krijimi i një grupi kompakt, pasi vijmë nga një vit ku çdo gjë shkoi keq.
Çfarë rëndësie ka fakti i të qenit një ish-futbollist, në interpretimin e dinamikave brenda ambientit të skuadrës?
Eshtë një avantazh shumë i rëndësishëm. Njoh karakterin dhe mentalitetin e futbollistëve, faktorë që do të mungonin po të ishte zgjedhur një njeri i jashtëm me ambientin.
Shihni një të ardhme si drejtor sportiv?
Nuk është një prioritet. Eshtë ende shpejt, mund ta bëj më vonë, pasi duhet kryer edhe një kurs. Por di të them se do të bëj gjithçka, që do të duhet për të ndihmuar dhe përmirësuar Lacion.
Drejtorët sportivë të mëparshëm si Osti, Martino e Sabatini, në fund u larguan. Nuk i trembeni një rreziku që lidhja juaj me Lotiton mund të prishet?
E vlerësoj shumë presidentin, e falenderoj për këtë mundësi që më dha. Di që ai është një njeri i fjalës. E pranova propozimin e tij, sepse sfidat duhen përballuar për t’i fituar. Deri tani i kam fituar të gjitha në jetën time dhe nuk ka arsye përse kjo të shkojë ndryshe.
Po deri ku mund të mbërrijë kjo Lacio gjatë këtij sezoni?
Mund të them se është një grup me lojtarë të rinj dhe me dëshirë të madhe. E rëndësishme është të nisemi sa më mirë, pasi i kemi forcat për t’u renditur në tetëshen e parë. Duhet të rinisemi me entuziazmin për të realizuar objektivin e kthimit në Evropë. Pastaj do të jetë radha e etapave të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›