E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria ruse hyn në Gjeorgji, Perëndimi: Bëni armëpushim

Në Osetinë Jugore pritet të shpërthejë një luftë e vërtetë pas ofensivës së Gjeorgjisë për të rimarrë rajonin e saj separatist dhe ndërhyrjen e ushtrisë ruse në territorin gjeorgjian si kundërpërgjigje në mbështetje të separatistëve. 

Ministria ruse e Mbrojtjes premtoi të mbrojë qytetarët rusë në rajon. Pjesa më madhe e qytetarëve të Osetisë kanë marrë pasaporta ruse. Presidenti rus, Dimitri Medvedev mblodhi Këshillin e Sigurimit në Kremlin dhe tha se, Moska duhet të mbrojë qytetarët e saj. “Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin federal, unë, si President i Rusisë, jam i detyruar të mbroj jetën dhe dinjitetin e qytetarëve rusë kudo që ndodhen. Ne nuk do të lejojmë, që vdekja e bashkëpatriotëve tanë të mbetet e pandëshkuar”, tha Medvedev. Zyrtarët gjeorgjianë një ditë më parë rrethuan kryeqendrën e Osetisë Jugore dhe morën kontrollin e tetë fshatrave besnike të separatistëve. Burimet ruse flasin për 15 paqeruajtës rusë të vrarë nga bombardimet gjeorgjiane. Dy rajone në Gjeorgji, Osetia Jugore dhe Abkazia kërkojnë shkëputjen nga Tbilisi. Ato kanë mbështetjen e Moskës, por kundërshtohen nga BE dhe SHBA. Avionët luftarakë rusë kanë bombarduar një bazë ajrore në afërsi të Tbilisit. Një autokolonë me 150 automjete, autoblinda dhe tanke ruse, hynë pasditen e djeshme në territorin e Osetisë Jugore. Ministrja e Jashtme, Ekaterine Tkeshelashvili tha se, Gjeorgjia u bën thirrje liderëve botërorë që t’i bëjnë presion Moskës të ndalë “agresionin e drejtpërdrejtë ushtarak” në territorin gjeorgjian. Tanket ruse kanë hyrë në Osetinë jugore pak orë pasi kryeministri rus Vladimir Putin paralajmëroi Gjeorgjinë se sulmet e saj në Osetinë Jugore do të kenë kundërpërgjigje. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se në fshatra të Osetisë Jugore ishin raportuar “pastrime etnike” nga Gjeorgjia. Lavrov i bëri thirrje Perëndimit të nxjerrë “konkluzionet e sakta” mbi këtë konflikt, duke shtuar se ofensiva gjeorgjiane ishte mundësuar nga ndihma ushtarake perëndimore në Tbilis, kryeqyteti gjeorgjian. Lideri separatist në Oseti, Eduard Kokoiti tha se, nga konflikti janë vrarë 1400 njerëz.
Apeli i Sakashvil
Presidenti gjeorgjian, Mikheil Sakashvili tha dje se, Rusia po provokon luftë me vendin e tij dhe se gjeorgjianët “shikojnë me shpresë” nga SHBA. “Ky është një agresion i qartë rus. Ne po vuajmë tashmë, sepse ne duam të jemi të lirë dhe duam një demokraci shumetnike, nuk bëhet më fjalë vetëm për Gjeorgjinë. Bëhet fjalë për Amerikën, vlerat e saj. Unë mendoj se SHBA ngrihet në këmbë për vendet, që e duan lirinë dhe i mbështesin ato. Kjo është Amerika. Prandaj ne shikojmë me shpresë nga çdo amerikan”, tha Presidenti gjeorgjian në një intervistë me CNN. Ai theksoi se Rusia ka vite që po përgatitet për këtë luftë, duke dërguar trupa në kufi me Gjeorgjinë muaj pas muaji për shkak të inatit të afërsisë së vendit me SHBA dhe NATO. Pas deklaratës së Sakashvil, Putin tha “Lufta ka filluar”.
Diskutime Bush–Putin
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Gordon Johndroe tha gjatë vizitës së Presidentit amerikan Xhorxh Bush në Pekin për Lojërat Olimpike se: “Të gjitha palët duhet t’i japin menjëherë fund dhunës dhe të angazhohen në bisedime të drejtpërdrejta për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë të paqme”. Zëdhënësi informoi se Bush dhe Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin kanë diskutuar të premten mbi çështjen e Gjeorgjisë, por nuk kanë dhënë informacione mbi bisedimet apo qëndrimin e tyre. Sipas agjencisë “Reuters”, dy liderët janë parë duke çatuar së bashku, përpara se të shtrohej dreka zyrtare nga Kina për liderët e huaj, që do të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike.
SHBA dërgon përfaqësues
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Gonzalo Gallegos tha se, SHBA ka dërguar një përfaqësues në rajon për të “diskutuar me palët e përfshira në konflikt”. “Ne mbështesim integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe bëjmë thirrje për nj armëpushim të menjëhershëm. I kërkojmë të gjitha palëve, përfshirë gjeorgjianëve, osetianëve dhe rusëve për të ulur konfliktin”, tha Gallegos duke shtuar se, Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs dhe zyrtarë të tjerë janë në kontakt të vazhdueshëm me palët për t’i dhënë fund armiqësisë. “SHBA po diskuton edhe me partnerët evropianë për këtë çështje”, tha Gallegos. Pentagoni tha se po monitoronte situatën, por nuk kishte marrë asnjë kërkesë zyrtare për ndihmë nga Gjeorgjia që kur forcat ruse hynë në vend.
Kriza e parë për Medvedev
Kriza është e para që përball Presidentin rus, Dimitri Medvedev me një situatë të tillë, që kur ai morri postin zyrtarisht në maj. Ajo duket si një situatë që do të shkojë drejt shpërthimit të një lufte të vërtetë në këtë rajon, i cili është një pikë kyçe transiti për energjinë, dhe ku Rusia dhe Perëndimi po konkurrojnë për influencën. Gjeorgjia, ish-pjesë e Bashkimit Sovjetik i ka acaruar marrëdhëniet me Rusinë, që kur nisi aleancën me Perëndimin dhe nxitjet për t’u bërë pjesë e NATO-s. Ajo shtrihet në zemër të Kaukazit, zonë që bart naftën nga Azia në Evropë.

Të dhëna ushtarake

    Gjeorgjia    Rusia

Popullsia      4.6 milionë    140 milionë
Ushtria      18 000    400 000
Tanke     128    23 000
Avionë lufte        9    1 736   
 

“Jepini fund dhunës”
BE i ka kërkuar vendeve të përfshira në konfliktin e Ossetisë që t’i japin fund menjëherë agresionit. Një zëdhënës i shefit të Politikës së Jashtme në BE, Havier Solana, tha se BE ishte shumë e shqetësuar. “Përsërisim mesazhin për t’i dhënë fund menjëherë dhunës”, tha ai. Solana ka diskutuar në telefon me dy ministrat e Jashtëm, atë të Rusisë, Sergei Lavrov dhe të Gjeorgjisë, Eka Tkeshelashvili. Ministri i Jashtëm francez, që ka Presidencën e BE, Bernard Kushner, po përpiqet për armëpushimin.

“Mjaft me përplasje të armatosura”
Aleanca Veri-atlantike, në të cilën Gjeorgjia ka kërkuar me insistim të marrë ftesën në samitin e viti 2008 (pa ia arritur qëllimit), i ka bërë thirrje autoriteteve gjeorgjiane dhe ruse që të frenojnë konfliktin. “Ne po e ndjekim nga afër situatën dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Scheffer iu bën thirrje të gjitha palëve t’i japin menjëherë fund përplasjeve të armatosura dhe të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta”, thuhet në një deklaratë të NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›