Policia: Ardian Nuni nuk bashkëpunon për hetimet
Hetimet e policisë kriminale për atentatin ndaj gjykatësit të lartë, Ardian Nuni, kanë mbetur në vend. Burime të konfirmuara të grupit që po merret me hetimet policore për identifikimin e autorit të ngjarjes që tronditi para katër ditësh opinionin publik, bëjnë të ditura se vetë gjyqtari nuk ofron më bashkëpunim pas kërkesës së tij për një ruajtje të çdo rrethane të ngjarjes, për shkak të pozicionit të tij si gjykatës i lartë. Nga të gjitha veprimet procedurale të deritanishme, ende nuk është kryer këqyrja e aparatit telefonik të gjykatësit Nuni, i cili nuk ka pranuar t‘ia dorëzojë atë ekspertëve të policisë për arsye personale. Kjo ka bërë që grupi hetimor të kërkojë tabulatet telefonikë në operatorin përkatës të celularit që disponon zoti Nuni. Policia ngre hipotezën se, nga gjithë rrethi i dëshmitarëve dhe personave në dijeni për këtë ngjarje, që ka pyetur në lidhje me plagosjen e gjykatësit Nuni, ende nuk i ka marrë të gjitha hollësitë dhe do të kërkojë pyetjen e tyre edhe njëherë tjetër në bazë të deklarimeve të para që kanë dhënë. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, u plagos mbrëmjen e së dielës në afërsi të banesës së tij, nga një person që mbetet ende i paidentifikuar. Para prokurorit të çështjes Xhevat Hana, që kryeson hetimet, Nuni deklaroi se ditën e ngjarjes kishte pirë kafe me disa miq dhe po kthehej në apartamentin e tij, në lagjen Komuna e Parisit. Sapo ka parkuar automjetin dhe ka dalë prej tij, një person e ka ndjekur në hyrje të pallatit, duke e qëlluar katër herë. Gjyqtari ka kthyer kokën dhe ka parë një person të moshës rreth 30-vjeçare, i gjatë 175-180 centimetër, që kishte në dorë një armë të mbështjellë me gazetë. Dy plumbat e kanë prekur në këmbë dhe në shpatullën e majtë, duke i shkaktuar disa plagë. Ai është transportuar nga dëshmitarë në Spitalin Ushtarak, ku qëndroi 24 orë. Pas ngjarjes, prokuroria ka marrë në dorë listën e çështjeve që ka gjykuar Nuni në Gjykatën e Lartë dhe ka rezultuar se ai ka pasur dhjetëra çështje. Gjithsesi, hetimet e mëvonshme do të saktësojnë personin që ka qëlluar mbi gjyqtarin. Aktualisht dosja është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.