Policia Bashkiake: Policia e Shtetit s`ka tagër për të na pajisur e hequr armët
Policia Bashkiake e Tiranës, i është përgjigjur me një deklaratë policisë së Tiranës, pas vendimit të saj për çarmatosjen e policëve bashkiakë. Në letrën drejtuar kreut të policisë së kryeqytetit, Saimir Muca, shkruhet se nuk është në të drejtën dhe tagrin e kësaj policie për të vendosur heqjen e armëve të zjarrit. Më tej në këtë letër shkruhet se në qoftë se janë evidentuar punonjës të policisë bashkiake të Tiranës, që kanë marrë pjesë në demonstratë, duke patur armë, të kryhet proçedimi dhe hetimi në organin e Prokurorisë.
Sipas policisë Bashkiake, secili prej punonjësve të saj ka qenë në krye të detyrës, në përputhje me detyrimet që i parashikon ligji. Ajo bën me dije se është e parashikuar në ligj që policët bashkiake të pajisen me armë, duke iu referuar nenit 14 të ligjit 8224.
Kjo letër vjen pas vendimit të policisë së Tiranës për çarmatosjen e policisë Bashkiake, pas demonstratës së 21 janarit, ku mendohet se punonjës të kësaj policie kanë marrë pjesë në demonstratë të armatosur me armët e shtetit.