E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Të drejtat e minoritetit, kusht për pranimin në BE"

"Zhvillimi i Shqipërisë do të sjellë edhe zhvillimin e rajonit ku jeton komuniteti etnik grek", është shprehur zëvendësministri grek i Ekonomisë, Andonis Bezas, në takimin e organizuar në Sarandë mes dhomave të tregtisë dhe industrisë të Sarandës dhe Igumenicës. Në përgjigje të pyetjes nëse ka strategji qeveria greke për zhvillimin e minoritetit etnik grek që jeton në Shqipëri, ai iu përgjigj se "Respektimi i të drejtave të njeriut në minoritet është një nga kushtet e hyrjes së Shqipërisë në familjen e madhe evropiane".

Me inspektimin e punimeve të rrugës Qafëbotë-Sarandë ka nisur vizita e zëvendësministrit grek të ekonomisë, Andonis Bezias, në Jugun shqiptar. Në sallën e konferencave te hotel "Butrinti", me praninë e zotit Beza, është organizuar takimi mes dhomave të tregtisë dhe industrisë së Igumenicës dhe Sarandës. Në çelje të takimit, Bezas deklaroi se në takimin e Sarandës ishte me cilësinë e deputetit të krahinës së Thesprotisë (territori i Çamërisë) dhe si përfaqësues i qeverisë greke. Vendin më të rëndësishëm në fjalën e tij e zuri puna që bëhet për ndërtimin e rrugës Qafëbotë-Sarandë. Por ka sqaruar se nga tepricat e programit evropian për zhvillimin e Ballkanit do të financohen edhe vepra të tjera. Lidhur me këtë, Bezas komunikoi nisjen e investimit për rehabilitimin e rrugës drejt Ripësit në Gravë të Sarandës, që nis nga Ambellona e Igumenicës, si dhe të rrugës nga Dermishi në Dhivër deri në Ripës, si rrugë të dyta të komunikimit kufitar mes dy shteteve.

Në takimin mes dhomave të tregtisë nga dy anët e kufirit u fol për mbështetjen e biznesit të vogël, duke deklaruar se në Shqipëri financohen 30 biznese, nga të cilat 18 janë të sferës prodhuese. U tha se financimi i tyre shkon në 500 mijë euro, ndërkohë që 200 mijë euro do t‘i jepen dhomës së tregtisë së Igumenicës për veprimtari të përbashkëta mes qarqeve Igumenicë-Vlorë. Beza mori përsipër që të mundësojë takimin e dy drejtorëve të përgjithshëm të doganave në Qafëbotë, me synim "përmirësimin e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve". Në takim u tha se nga qeveria shqiptare është tenderuar projekti për ngritjen e doganës së re në Qafëbotë, që deri më sot funksionon me kioska, të dhuruara vite më parë nga porti i Igumenicës.

Një takim të posaçëm ka organizuar Bezas në qendër të Komunës së Livadhjasë, e njohur ndryshe edhe si kryeqendër e minoritetit etnik grek në Sarandë. Atje është pritur nga kryetari i komunës, Irodhi Dalani, që është njëherësh i porsazgjedhuri në krye të shoqatës së komunave me popullsi minoritare. Mori pjesë edhe kryetari i organizatës "Omonia" dhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, si dhe atasheu kulturor i konsullatës greke në Gjirokastër, Nikos Jerasimidhis. Në këtë takim, zëvendësministri Bezas ka qenë më i drejtpërdrejtë në premtimet e veta për zhvillimin e fshatrave në infrastrukturë, në rehabilitime shkollash dhe vendosjen e sistemit të ngrohjes në to. Por ai nuk e ka vlerësuar të kënaqshëm faktin që numri i nxënësve në shkollat e minoritetit ka rënë në 1050, nga 6500 që ishte 15 vjet më parë. Bezas ka premtuar dhënien e deri në 5 mijë euro për investime në çdo fshat, por ato do të jepen nëpërmjet konsullatës greke në Gjirokastër, apo nga kryetarë të shoqatave që veprojnë në Athinë për çdo fshat, u ka thënë Bezas kryekomunarëve bashkëpatriotë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›