Policia: Kemi 48 familje të ngujuara dhe 200 hasmëri
Shkodër-Në qarkun e Shkodrës janë 200 familje në hasmëri me njëra- tjetrën, prej të cilave 48 janë të ngujuara, ndërsa këtë fenomen e vuajnë 116 persona, nga të cilët 21 fëmijë që nuk shkojnë në shkollë dhe 2 studentë, që për shkak të fenomenit të gjakmarrjes kanë ndërprerë studimet e larta. Kjo është pohuar në analizën e punës njëvjeçare të drejtorisë së policisë së qarkut të Shkodrës nga kreu i saj, Altin Qato. Duke analizuar gjendjen e kriminalitetit në këtë qark në vitin 2011, Qato ka theksuar se gjatë këtij viti janë referuar 916 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 714. Janë organizuar 187 operacione për identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike, si dhe 25 operacione fluturimi. Është bërë e mundur goditja dhe dokumentimi i plotë ligjor i 9 grupeve kriminale. Gjatë këtij viti janë sekuestruar 208 kg lëndë narkotike kanabis-sativa,. 401.4 gram kokainë. Në fushën e krimeve të rënda janë evidentuar 110 vepra penale dhe janë zbuluar 90; krimet kundër personit janë raportuar 50 vepra penale, të zbuluara 45, ndër të cilat 11 vrasje me dashje, nga të cilat janë zbuluar 8, janë evidentuar 12 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 vrasje në rrethana cilësuese me një autor të arrestuar, 26 vrasje të mbetura në tentativë, të zbuluara 24 me 33 autorë, nga ku 23 janë arrestuar në flagrancë, 3 të ndaluar dhe 2 ndiqen në gjendje të lirë, kurse 5 autorë janë shpallur në kërkim.