Policia, OSBE: Respektoni të drejtat e të ndaluarve
TIRANE – Në gjitha rastet kur ndaj punonjësve të policisë ka dyshime se kanë abuzuar me detyrën, në mosrespektimin e të drejtave të personave të ndaluar, po verifikohen. Në çdo rast kur ka shkelje, do të merren masa. Kështu është shprehur dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, gjatë ceremonisë së dhurimit të 450 tabelave për të drejtat e të ndaluarve, të dhuruara nga zyra e OSBE, në Tiranë. Ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch, i pranishëm në këtë ceremoni, tha se çdo person i shoqëruar në polici, duhet të trajtohet si i pafajshëm, derisa gjykata të vendosë për të një dënim të formës së prerë. Projekti i financuar nga OSBE do t’u japë mundësi të arrestuarve dhe të ndaluarve të njihen më shumë me të drejtat e tyre në ambientet e policisë. Në çdo komisariat të policisë do të vendosen broshura, në çdo cep të qelisë ku janë të renditura të drejtat e të shoqëruarve. Për këtë nismë të financuar nga OSBE, në komisariatin nr. 1 të Tiranës ka qenë ambasadori i OSBE Robert Bosch, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. “Policia duhet të respektojë të drejtat e personave të shoqëruar dhe të arrestuar. Për çdo polic, i cili nuk i respekton ato, do të merren masa”, u shpreh Burgaj. Të gjitha fletëpalosjet do t’u shpërndahen të gjitha komisariateve dhe pikave të vendkalimit kufitar dhe do të jenë në gjuhët kryesore, në shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht. e.d