Zgjedhjet, Halili nuk kandidon pa vëzhgues
Leonard Karaj
Zgjidhet sot në hotel “Adriatik” në Durrës presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit, ku në garë janë kreu aktual, Armand Duka, presidenti i Tiranës, Refik Halili dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata.Gjashtëdhjetë e pesë delegatë nga të gjitha klubet dhe shoqatat sportive në vend do t’i afrohen sot kutisë së votimit për të dhënë verdiktin e tyre mbi presidentin që do të drejtojë futbollin shqiptar për katër vitet e ardhshme. Favorit në teori është kreu aktual Armand Duka por nuk mbeten pas edhe dy figurat e njohura tashmë të topkëmbës sonë, Rudi Vata dhe Refik Halili. Por burime nga stafi i këtij të fundit ka vënë në diskutim kandidimin e Halilit vetëm disa orë më parë (ditën e djeshme),. Kjo pasi presidenti i Tiranës, në garë për kreun e FSHF-së ka kërkuar medoemos që të ketë vëzhguesit e tij në numërimin e votave si dhe përvijimin sa më normal të kësaj Asambleje Zgjedhore. Në të kundërt, në rast se sipas Halilit, ai nuk do të ketë numëruesit e tij atëherë procesi do të jetë totalisht i dështuar, jo transparent dhe me shumë gjasa ai nuk do të pranojë që të kandidojë.
Halili dhe Vata patën shprehur rezervat e tyre edhe para disa ditësh lidhur me manipulimin sipas tyre që po i bëhet Asamblesë Zgjedhore nga Armand Duka. Sipas tyre Statuti aktual dhe rregullat e procedurave të Asamblesë nuk parashikojnë pjesëmarrjen e vëzhguesve si përfaqësues të secilit kandidat. Ndërkohë që këta vëzhgues duhet të pranohen dhe të jenë prezent në numërimin e votave dhe të firmosin fletën e votimit. Ndërsa po sipas Halilit dhe Vatës drejtuesit aktualë të federatës kanë thyer parimin “një anëtar, një votë” në rastin e “Shoqatës së Futbollit Amator”, e cila përbën 1 (një) anëtar të FSHF-së, dhe duhet të ketë vetëm 1 votë dhe jo 8 vota sikundër e ka caktuar Komisioni i Verifikimit në FSHF. Gjithashtu kjo shoqatë nuk rezulton të jetë as e regjistruar në gjykatë.
Ndërsa nuk është lënë pa u kontestuar edhe vendi ku do zhvillohet sot kjo asamble. Sipas Refik Halilit nuk ka asnjë praktikë, si brenda, edhe jashtë vendit, që asambletë zgjedhore të zhvillohen larg selisë së FSHF-së. Asambletë e zakonshme mund të bëhen në një qytet tjetër, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një asamble zgjedhore. Të gjitha ankesat e tyre kandidatët ia kanë nisur edhe UEFA-s e MTKRS-së, organizma këto që pritet të jenë sot në rolin e të ftuarve specialë.
Si zgjidhet presidenti i FSHF-së
Zgjedhjen e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit e rregullon neni 29 i statutit të kësaj federate. Në të thuhet: “Gjatë zgjedhjes së parë, presidenti ka nevojë për 2/3 e votave të vlefshme me qëllim që të zgjidhet sipas rregullave. Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk arrin këtë shumicë, bëhet një raund i dytë zgjedhjesh midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet president. Në rastet e votave të barabarta, votimi do të përsëritet. Në qoftë se edhe votimi i dytë përfundon me rezultat të barabartë, vendimi merret nëpërmjet hedhjes së shortit nga Sekretari i Përgjithshëm dhe monitoruar nga Komisioni i Verifikimit”.
Si zgjidhen anëtarët e KE-së
Po ky nen (29) tregon qartazi edhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komitetit Ekzekutiv. “Kandidati zgjidhet në raundin e parë nëse mbështetet nga një shumicë absolute e votave të vlefshme (p.sh 50% + një votë). Në qoftë se nuk ka kandidatë të mjaftueshëm që arrijnë një shumicë absolute për të mbushur vendet bosh, organizohet raundi i dytë për të cilin një shumicë e thjeshtë (me të shumtat e votave) mjafton për një kandidat që të zgjidhet. Në rast barazim i bëhet raundi i tretë për të cilin mjafton një shumicë e thjeshtë. Në rastin e një barazimi të mëtejshëm, rezultati i zgjedhjeve përcaktohet nëpërmjet hedhjes së shortit nga Sekretari i Përgjithshëm”.