E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Shqiptare dhe KFOR, hetime të përbashkëta në kufi

Autori i Lajmit: red.
Policia shqiptare dhe KFOR, Shërbimi Policor në Kosovë, do të kryejnë së bashku procedurat operuese në zonat kufitare. Një takim ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi dhe komandantit të KFOR-it, gjeneral Xavier de Marnhac, është ligjëruar marrëveshja. Në kuadër të këtij takimi, Prençi dhe gjeneral De Marnhac nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme mbi procedurat operuese ndërmjet Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe KFOR-it. Marrëveshja teknike mbi procedurat e përkohshme operuese ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe KFOR-it është një dokument që rregullon marrëdhëniet operacionale ndërmjet KFOR-it dhe Policisë Shqiptare përgjatë kufirit. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është vendosja e procedurave të efektshme për bashkëpunimin, koordinimin e veprimeve dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe KFOR-it, me synim menaxhimin e kontrollin sa më mirë të kufirit. Ky dokument është hartuar duke pasur parasysh eksperiencën e fituar nga patrullat e përbashkëta përreth kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Pas nënshkrimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Prençi, dhe komandanti i KFOR-it, gjeneral De Marnhac, e cilësuan një hap historik nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Policisë Shqiptare dhe KFOR-it. Gjithashtu Prençi, duke falënderuar gjeneralin De Marnhac për bashkëpunimin e vazhdueshëm e mjaft efikas, vuri në dukje faktin se vënia në zbatim e kësaj marrëveshjeje do të ndikojë në ndërtimin e marrëdhënieve më cilësore në bashkëpunimin kufitar Shqipëri-Kosovë. Në këtë kontekst, do të monitorohet i gjithë kufiri i gjelbër përgjatë gjithë territorit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkohë komandanti i KFOR-it e vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si një tregues të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet Shqipërisë dhe KFOR-it lidhur me sigurinë e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›