E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikoi dokumente, përfundon në qeli

Autori i Lajmit: red.
Policia e Gjirokastrës ka ndaluar dje në mbrëmje Françesko Shtëmbarin, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar me 7 muaj burg, për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve apo vizave”, vepër kjo e parashikuar nga neni 189/1 të Kodit Penal. Sipas policisë, mësohet se i arrestuari në muajin gusht të vitit 2007, është ndaluar në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavijë, pasi donte të kalonte kufirin me një pasaportë në të cilën kishte një vizë “shengen” të dyshuar si false. Më pas është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ku janë kryer veprimet e para hetimore nga ana e Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe dokumentet i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila e ka ndjekur në gjendje të lirë deri në përfundim të veprimeve ligjore. Nga ekspertiza ka rezultuar se viza ishte e falsifikuar dhe për këtë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër në datën 30.05.2008, në mungesë e ka dënuar me 7 muaj burg këtë shtetas. Kapja e këtij shtetasi u bë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan.
Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›