E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Si u vëzhguan 16 makinat e Taçit për 48 orë

Ndjekja dhe kapja e biznesmenit Rezart Taçi ka qenë një ndër punët më të vështira për policinë e kryeqytetit. Uniformave blu u janë dashur të ndjekin mbi 16 makina, pasi nuk e dinin se me cilën prej tyre lëvizte biznesmeni i njohur nga Erseka, i cili kërkohej dhe është arrestuar për rrahjen e gazetarit Mero Baze. Vëzhgimi i 16 makinave ka mbajtur policinë e kryeqytetit për 48 orë në këmbë e si përfundim nuk ka mundur të gjejë se me cilën lëvizte deri në momentin, kur ai është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke u dorëzuar, pasi Gjykata e Tiranës kishte dhënë masë "arrest me burg" për të.
Ngjarja
Specialistët e policisë shpjegojnë se që natën e së martës kur janë njoftuar për rrahjen e gazetarit Mero Baze kanë nisur kërkimet e para për autorët e dyshuar të saj. Pas marrjes së informacionit se autori dyshohej se ishte Rezart Taçi, president i firmës "Taçi Oil", kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Fillimisht informacioni është marrë për makinën që kishte përdorur për t‘u larguar nga lokali, ku kishte ndodhur incidenti. Menjëherë, ai mjet është shpallur në kërkim nga forcat e policisë së Komisariatit Nr. 2, të cilat kanë mundur të bllokojnë mjetin më të cilin lëviznin dy shoqëruesit e biznesmenit Taçi. Por, ai nuk është gjetur. Më pas, pikërisht në orët e para të mëngjesit të datës 3 nëntor, agjentët e policisë kriminale, kanë marrë informacion edhe për pesë makina të tjera, me të cilat lëvizte Rezat Taçi. Mbi 15 agjentë të vëzhgimit, e të drejtuara nga strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Tiranës janë vënë në ndjekje të tyre, por nuk kanë mundur të pikasin biznesmenin të hipte në ndonjërën. Nga ana tjetër, pa kaluar gjysma e ditës së 3 nëntorit, policia ka mundur të identifikojë edhe 10 mjete të tjera, ku shumica e tyre ishin luksoze. Pavarësisht se ato nuk ishin të gjitha në pronësi të Taçit, policia kishte informacione të sigurta se ai lëvizte edhe me to. Por, gjatë 48 orëve pa gjumë, rreth 50 agjentë terreni janë vënë në ndjekje të tyre dhe nuk ka dalë asnjë rezultat. Madje, gjatë gjithë kohës, policia merrte informacion se ai ndodhej sa në një vend në tjetrin, por asnjëherë nuk arrinte ta gjente. Informacionet kanë qenë të ndryshme, por të gjitha bënin fjalë për vende luksoze, që mendohej se shkonte Rezart Taçi. Madje, vendet lëviznin gjeografikisht në largësi, pasi nuk kanë munguar informacionet nga Sauku, Dajti, ish-Blloku, lokalet te stadiumi "Qemal Stafa", te Rruga e Elbasanit, te Prokuroria e Tiranës, e shumë vende të tjera.
Kërkimi
Kërkimi-odise, ka zgjatur deri paraditen e enjte. Madje, policia tha se numërohen mbi 68 vende publike të kontrolluara për gjetjen dhe shoqërimin e tij në polici. Aty forcat e policisë, të palarë, të pangrënë e pagjumë, nuk kanë duruar dot më, por kanë pritur që gjykata të japë vendimin e masës së sigurisë. E pikërisht pas kësaj, Rezart Taçi është dorëzuar. Policia deklaroi se ende nuk dihet nëse Rezart Taçi ka mundur t‘u shmanget kaq mirë efektivëve të policisë, apo nëse ai nuk ka lëvizur në një vend. Megjithatë, në momentin e vetëdorëzimit, ai ka deklaruar për uniformat blu se kishte frikë se do arrestohej brutalisht, prandaj nuk kishte pranuar të arrestohet deri në dhënien e masës së sigurisë. Në orën 16.00 të së enjtes, Rezart Taçi, me detyrë president i kompanisë "Taçi Oil", u vetëdorëzua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Sipas policisë, ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim nr. 930, ka vendosur në mungesë masën e sigurisë "arrest në burg", për konsumim të veprës penale të "Goditjes për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 237 dhe 25 të Kodit Penal. "Ky shtetas akuzohet se më datë 03 nëntor 2009 në bashkëpunim edhe me dy shtetas të tjerë, të cilët ndodhen të arrestuar, dyshohet se kanë goditur me grushte, në ambientet e brendshme të një lokali, gazetarin Mero Baze. Për shtetasin Rezart Mustafa Taçi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›