E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Situate e tensionuar ne Veri

Një ditë pas vrasjes së një qytetari shqiptar në veri të Mitrovicës, si pasojë e një shpërthimi, autoritetet e rendit thonë se situata në këtë pjesë të vendit mbetet e tensionuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se policia në bashkëpunim me autoritetet tjera të komunës, janë duke u përpjekur për të ofruar një siguri më të madhe për qytetarët, e po ashtu edhe për uljen e tensioneve.

“Per sa i përket situatës, mund të them se kemi një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, shqetësimet e banorëve - jo vetëm të veriut, banorëve shqiptarë e serbë - por të të gjithë banorëve të tjerë në komunë e me gjerë”, deklaroi Hoti.

Ai tha se tani për tani ende nuk dihen motivet dhe shkaktarët e sulmit, por siç u shpreh ai, policia është duke hetuar të gjitha rrethanat e këtij incidenti kriminal.

Zëdhënësi Hoti tha po ashtu se në lagjet e banuara me popullatë etnikisht të përzier, janë vendosur pika statike të kujdestarisë dhe të kontrollit.

Lidhur me sulmin ndaj familjes Haradinaj, kanë reaguar institucionet e Kosovës, ato ndërkombëtare si dhe partitë politike në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›