E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Të ikurit nga reforma do ripranohen

 

TIRANE- Policia e Shtetit kërkon rikthimin e në radhët e saj të oficerëve të larguar pak kohë më parë për shkak të reformës. Të gjithë të larguarit nga radhët e policisë, që kanë ikur me dëshirën e tyre, ose që janë larguar për shkak të shkurtimit organik të vendit të punës u është kërkuar të aplikojnë për të rihyrë në strukturat e Policisë së Shtetit. Lajmi është bërë i ditur dje nga zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, gjatë një deklarimi zyrtar të dhënë prej tij. Thirrja e ish- oficerëve të larguar, mësohet se u është bërë pas futjes në fuqi të ligjit të ri të Policisë së Shtetit, si dhe të strukturës së gradave të reja të Policisë. Pas krijimit të strukturës së re dhe futjes në zbatim të ligjit dhe gradave të reja, një numër i konsiderueshëm efektivesh, nuk pranuan të uleshin në gradë apo në detyrë, kjo solli lirimin e funksioneve të ndryshme në polici. Po kështu shumë prej të larguarve, nuk mundën të mbanin vendet e tyre të punës për shkak të vjetërsisë, arsimimit dhe kushteve të tjera, të parashikuara në ligjin e miratuar vitin e kaluar. Nga i gjithë ky proces, kanë mbetur të paplotësuara një numër prej rreth 300 funksionesh organike të policisë në të gjithë qarqet e saj në vend. Plotësimi i këtyre funksioneve në radhët e uniformave blu të mbetura bosh, është menduar të bëhet me ata efektivë të policisë, të cilët u nxorën në reformë vitin e kaluar pas shkurtimit të më tepër se 2500 vendeve të punës në radhët e kësaj strukture. Më tepër se një vit më vonë nga përfundimi i reformës, doli e nevojshme rithirrja në detyrë e një pjese të konsiderueshme të tyre, pas boshllëkut të krijuar.                                                                                       d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›