Truproja e Azemit, hetohen edhe borxhet
Atentati me armë zjarri ndaj ish-truprojës së deputetit demokrat Azem Hajdari ka vënë policinë lokale para një prove të vështirëm, për shkak të pistave të shumta që po hetohen. Marjan Gryka, është bërë objektiv i të shtënave me armë zjarri mbrëmjen e të shtunës kur ishte duke lëvizur me makinën e tij “Benz”, sllon në vendin e quajtur Zogaj në Shkodër. Policia nuk ka arritur të identifikojë asnjë dëshmitar të ndodhur rreth orës 21:30 të së shtunës në segmentin rrugor Shirokë-Zogaj, ku ndodhi ngjarja. Për shkak të mungesës së dëshmitarëve, edhe vetë rrethanat e ngjarjes kanë mbetur të zbehta për policinë. Objektivi i të shtënave me armë zjarri, kryetar i Shoqatës “Azem Hajdari”, pësoi dëmtime dhe u mor në pyetje disa orë më vonë në ambientet e spitalit. Versioni i parë që po heton policia për shkaqet dhe autorët e ngjarjes, është ai që lidhet me detyrën e mëparshme të Marjan Grykës, si rojë personale e deputetit demokrat Azem Hajdari dhe tani si kryetar i shoqatës që mori emrin e ish-deputetit të vrarë në 1998. Burime zyrtare të policisë, konfirmuan se janë duke hetuar edhe mundësinë që ish-bodiguardi i Azem Hajdarit të jetë vendosur në shënjestër pas kërkesave dhe apeleve të tij për rihapjen e dosjes së vrasjes së ish-deputetit demokrat. Kjo pistë e hetimit është mbështetur edhe nga vetë i plagosuri, i cili ka deklaruar nga spitali se sulmi me armë zjarri ndaj tij ka motive politike pas kërkesave të tij për rihapjen e dosjes “Hajdari”. Megjithatë sipas burimeve zyrtare nga policia lokale, nisur nga deklarimet kontradiktore dhe jo shumë të qarta që ka dhënë ish-truproja e Azem Hajdarit, për autorët e ngjarjes, ekspertët e Krimeve të Rënda janë duke hetuar edhe në pista të tjera. Për shkak se Marjan Gryka është shprehur se nuk ka mundur t’i identifikojë autorët e sulmit me armë ndaj tij, ekspertët e Krimeve të Rënda që po marrin pjesë në hetim, kanë verifikuar edhe çështjet personale të ish-truprojës së Azem Hajdarit. Burimet nga strukturat e hetimit të Krimeve të Rënda, të cilat dje kanë qenë në vendin e ngjarjes, thanë se janë duke hetuar edhe mundësinë e borxheve apo mosmarrëveshjeve, që mund të ketë pasur Marjan Gryka. “Ai nuk ka pasur kërcënime apo mesazhe të qarta para ngjarjes, të cilat tani mund të ndihmonin orientimin e hetimeve, por gjithsesi policia është duke hetuar disa informacione operative ende të pa konfirmuara, për mundësinë e borxheve apo detyrimeve financiare, që personi i dëmtuar mund të ketë ndaj personave të tretë”, thanë burimet e policisë. Sipas tyre, nga informacionet operative ende nuk është e qartë, nëse këto shuma detyrimesh kanë qenë të tilla saqë mund të shkaktonin sulmin me armë ndaj ish-truprojës së Azem Hajdarit. Ai vetë e ka mohuar një pistë të tillë. Policia e Shkodrës e cila ende nuk ka arritur asnjë rezultat konkret për zbulimin e autorëve apo shkaqeve të ngjarjes, konfirmoi dje në mbrëmje se ka ndaluar pesë persona, që po merren në pyetje si dëshmitarë ndaj të cilëve zhvillohen hetime. re.kr
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Një atentat politik. Marjan Gryka, kryetari i shoqatës “Azem Hajdari” nga dhoma e spitalit në Shkodër, ku po mjekohet pas plagosjes me pistoletë mbrëmjen e së shtunës, thotë se motivi është i qartë. “Më zunë pritë sapo unë i kam kërkuar BE-së të ndërhyjë për rihapjen e çështjes së vrasjes së Azemit”. Gryka, ish-bodigard i Hajdarit tregon për gazetën si ndodhi ngjarja, problemet që ka hasur pas vdekjes së deputetit të PD-së dhe dyshimet e tij mbi atentatorët.
Si kanë rrjedhur ngjarjet mbrëmjen e së shtunës, ku ju mbetët i plagosur?
Mbrëmë, rreth orës 20:30, pasi kisha takuar disa miq të mi për probleme politike, unë kisha dalë një shëtitje nga liqeni i Shkodrës, ashtu si çdo shkodran tjetër. Sapo kisha kaluar Shirokën dhe po i drejtohesha Zogajve, kur dy persona të veshur me uniforma policie dhe të maskuar më bëjnë shenjë që të mbaj krahun dhe të ndaloj. Unë kujtova se do të jetë ndonjë postbllok policie ndaj dhe i qetë ndalova duke menduar se do të jetë Policia e Shtetit. Por ato nuk kishin qenë Policia e Shtetit, por një skuadër pushkatimi. Unë mundova të dal nga “Benz”-i që të bisedoj me ta dhe të paktën t’u shihja fytyrën. Por ata më kanë shtyrë brenda në makinë dhe pastaj më kanë qëlluar 3-4 herë me pistoletë. Pas këtij veprimi ata u larguan me vrap nëpër terrin e natës. Për momentin unë nuk kuptova asgjë, madje edhe plumbat nuk i kam ndjerë fare. Aty mbeta i plagosur, derisa kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët më kanë sjellë me shpejtësi në spital.
A keni pasur më parë kërcënime?
Në fakt, mua më kanë kërcënuar edhe dy herë të tjera nëpërmjet SMS-ve. Kjo ndodhi pikërisht pas shkrimit tim të fundit në median e shkruar.
Keni bërë denoncime për këto raste?
Po, por pas identifikimit të numrave na rezulton, që ato kërcënime na janë bërë nga numra të celularëve të një kompanie të shtetit fqinj, Malit të Zi dhe jo me numra të kompanive në Shqipëri. Por kërcënime direkte të kësaj natyre, si rasti i mbrëmshëm nuk kam pasur gjer tani. Shpresoj që ky të jetë rasti i fundit.
Keni ndonjë ide se kush mund të kenë qenë personat, që ju kanë dalë në pritë ose personat që mund t’i kenë shtyrë ata në një veprim të tillë?
Vetë përdorimi i uniformave të policisë nga këta persona e ka një kuptim të plotë, 100%. Por sot gjërat janë të hapura. Unë jam një person që përfaqësoj Azem Hajdarin në Shqipëri. Kjo çështje po shkon drejt rihapjes nga BE. Dhe BE, një nga kushtet që i ka vënë Shqipërisë, pika 11 është rihapja dhe zbardhja e vrasjes së Azem Hajdarit, që bashkë me disa kërkesa të tjera janë ato që shoqata “Azem Hajdari”, që unë përfaqësoj, i kemi dërguar në Bruksel. Madje, kërkesat tona unë i kam shprehur herë pas here edhe në mediat shqiptare dhe së fundi ka dalë një shkrim i imi, që kishte të bënte edhe njëherë për rihapjen e çështjes Hajdari. Besoj që klanet e të dy krahëve të politikës u shqetësuan për reagimet e mia ndaj dhe atë që i bënë Azemit, deshën t’ia bënin edhe mikut të tij. Dhe ja ku jam sot, me plumb në trup.
Pra ju thoni se ju kanë qëlluar vetëm pse keni kërkuar rihapjen e hetimeve të çështjes “Hajdari”?
Absolutisht vetëm kjo është arsyeja. Ky mund të quhet ndryshe një pushkatim politik ndaj meje, pasi unë nuk kam pasur asnjëherë probleme me persona të ndryshëm. Nuk është e vërtetë që unë të kem pasur ndonjë konflikt me persona të tjerë, po këto fjalë i kanë hapur me qëllim ata persona, që deshën kokën time për të maskuar qëllimin e tyre të vërtetë.
Cilat janë dyshimet tuaja mbi vrasjen e deputetit Azem Hajdari?
Dyshimet e mia lidhen me atë se shumë njerëz pas vrasjes së Hajdarit, bashkë me kryeministrin shqiptar Sali Berisha kanë bërë deklarata të bujshme për shumë persona që kanë marrë pjesë në vrasje. Dhe kjo është ajo që duan shqiptar, si kryeministër apo kryetar shoqate, të gjithë duhet të jemi të barabartë përballë ligjit. Të gjithë ne që kemi bërë deklarata të tilla duhet të shkojmë edhe njëherë para organeve të drejtësisë dhe të dëshmojmë të gjitha sa dimë me qëllim që kjo çështje të rihapet edhe njëherë.
A keni besim tek drejtësia shqiptare se kjo çështje do të rihapet?
Qeveria aktuale premtoi para shqiptarëve se sapo të vinin në pushtet do të rihapnin këtë çështje. Por, edhe pse kanë kaluar 3 vite nga ardhja e PD-së në pushtet, atyre nuk u ka shkuar ndërmend që ta bëjnë një gjë të tillë. Eshtë BE që po ndërhyn që një çështje e tillë të rihapet. Kjo qeveri asnjëherë nuk e pati kurajën për ta hapur gjatë kësaj periudhe, që është në pozitë dhe kjo është qeveria që dikur kishte për kryetar Azemin. Se çfarë i pengon apo çfarë i frikëson drejtuesit e PD-së, që nuk e rihapen këtë çështje e dinë vetëm ata. Shoqata “Azem Hajdari” që unë përfaqësoj është dhe do të jetë përgjithmonë për nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë. Jo të pushkatarëve të tij, por të urdhëruesve të vrasjes, pasi vrasja e Azemit është vrasja e shekullit në Shqipëri dhe nuk ishte vrasje private. Mendoj se një gjë e tillë do të bëhet shumë shpejt dhe politika shqiptare do të pastrohet. Rasti i Hajdarit tregoi se deri ditën kur nuk janë vënë në bangën e të akuzuarve urdhëruesit e vrasjes së Azemit politika shqiptare nuk do të ketë asnjëherë e stabilitet politik.