Sherri për femrat, plagoset oficeri i Forcave Speciale
Dashamir Biçaku
Grindja e dy personave, për disa vajza me një oficer të forcave speciale të policisë, është bërë shkak dje në mbrëmje për plagosjen e këtij të fundit. Artan Metuku, 35 vjeç banues në afërsi të kthesës së Kamzës, pranë kompleksit malajzian, ka mbetur i plagosur rëndë, pasi ndaj tij është qëlluar me një armë zjarri automatik “Kallashnikov”. Policia arrestoi si autor të dyshuar Ervin Belbën dhe shoqëroi në komisariat me dyshimet për bashkëpunim në këtë ngjarje edhe Ardian Bregasin. Plagosja e oficerit ndodhi dje pasdite rreth orësh 19:00, në rrugën “Babë Rexha”, pranë zonës së ish-parkut të autobusëve në Tiranë tek një grup lokalesh të zonës. Sipas dëshmitarëve dhe policisë, një zënkë e momentit ka shpërthyer për grindjen mes Elvis Belbës, 25 vjeç, Ardian Bregasit, si dhe efektivit të forcave speciale të Repartit 712, Artan Metuku. Polici i plagosur mësohet se është qëlluar tri herë në shpatull dhe në këmbë, duke mbetur i dëmtuar rëndë. Ai është transportuar për në Spitalin Ushtarak, ku i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore, ndonëse fillimisht ka qenë në gjendje të rëndë. I dyshuari Elvis Belba, sipas burimeve të policisë, ka qëlluar me armë në drejtim të efektivit blu, kur ky i fundit ishte në rrugë. Bashkë me të dyshuarin, mësohet se ka qenë edhe Ardian Bregasi, i cili është konfliktuar më parë me efektivin e FNSH-së. Shkak për përplasjen mes tyre dyshohet se ka qenë një konflikt që ka lindur dje në drekë, kur Elvis Belba dhe Ardian Bregasi, kanë qenë duke ngacmuar disa vajza në këtë lagje, ndërsa më pas kanë nisur të grinden me to. Oficeri Artan Metuku, ka ndërhyrë për të ndarë sherrin, ndërsa ka qortuar dy djemtë për veprimet e tyre ndaj vajzave. Ndërhyrja e efektivit të forcave speciale, nuk është pritur mirë nga të dyshuarit, të cilët janë konfliktuar me policin. Dy të akuzuarit kanë nisur të grinden me policin e FNSH-së, madje ta shajnë e ta fyejnë atë. Rreth orës 18:50, konflikti mes tyre është acaruar, ndërsa Belba dhe Bregasi kanë marrë një automatik dhe kanë qëlluar në drejtim të oficerit me breshëri, duke i shkaktuar atij disa plagë në trup. Policia ka mundur të ndalojë autorët në një banesë, ku ishin fshehur ndërsa policia po kërkonte për armën e krimit.