E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, Vocaj letër Ramës: Liro bulevardin

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, kërkon nga kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, lirimin e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", për shkak të bllokimit të trafikut. Një tjetër kërkesë është edhe ndryshimi i skemës së qarkullimit të automjeteve të përgatitur nga Bashkia e Tiranës, prej fillimit të punimeve në sheshin Skënderbej.

Shqetësimet e kreut të policisë së kryeqytetit iu përcollën të dielën kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe kryetarit të PS së kryeqytetit, Besnik Baraj. Në letrën drejtuar kryebashkiakut Rama, drejtori i Policisë shkruan: Bllokimi i bulevardit "Dëshmorët e Kombit" ka rënduar situatën e trafikut këtë fundjavë. Vazhdimi i mbajtjes së tij i bllokuar për ditët në vazhdim, kur fluksi i automjeteve rritet ndjeshëm, do të përkeqësojë dhe rëndojë më tej situatën e trafikut rrugor dhe në tërësi të rendit publik në qytet".

Drejtori Vocaj, kërkon nga kryebashkiaku Rama që të përdorë autoritetin e tij në këtë funksion për zhbllokimin e bulevardit. Ai thekson gjithashtu, se megjithë përpjekjet për edukimin e përdoruesve të rrugës me skemën e re të trafikut, përsëritja e saj do të sillte një bllokim të dytë për Tiranën. Në 6 kryqëzime kryesore në Tiranë, numri i mjeteve për minutë shkon nga 70 deri në 160 mjete. Ndërsa ka tërhequr vëmendjen për sinjalistikën e munguar horizontale. Opozita vijon protestën e saj në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përpara kryeministrisë, pa një leje të posacme ng policia, që prej datës 1 maj. Por policia thotë se nuk ka vendosur të ndërhyjë forcërisht, për të mos shkaktuar pakënaqësi dhe acarim të situatës.

Denada Shkodrani < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›