Policia arreston 8 hajdutë, vodhën dyqane e banesa
09/06/2005 TIRANË- Hajdutët “mbysin” Tiranën. Vetëm 24 orët e fundit policia e Tiranës ka arrestuar 7 prej tyre. Në një njoftim zyrtar të policies, thuhet se nga punonjësit e Komisariatit nr.1 u krye arrestimi në flagrancë i Alban Kaposhit, 23 vjeç, lindur në Berat e banues në Tiranë, i padënuar dhe Igli Dervishi, 30 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Këta shtetas në rrugën "Arkitekt Kasemi”, kanë thyer xhamin e një mjeti, duke i vjedhur një kasetofon. Ndërsa nga punonjësit e Komisariatit nr.2 u krye ndalimi i shtetasit Eduart Hoti, 24 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar një herë për vjedhje. Ndalimi i tij u bë në bazë të vendimit të prokurorit, për veprën penale të vjedhjes. Sakaq nga efektivët e Komisariatit nr.3 u krye arrestimi i E.Th., 17 vjeç, lindur e banues në Vorë. Ky shtetas u kap në flagrancë në rrugën e “Durrësit”, në afërsi të karburant “Euro-Drin”, duke vjedhur 8 tasa mjetesh. Gjithashtu është arrestuar Arben Konja, 32 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, sepse është autor i vjedhjes së farmaci “Flavia”, në rrugën e “Barrikadave”, ndodhur më datë 27.03.2005. Policia bën të ditur se në lidhje me vjedhjen e dyqanit të kancelarisë në rrugën “Myslym Shyri”, në pronësi të një shtetasi, nga puna e bërë e punonjësve të policisë së Komisariatit nr.3, u arrit të dokumentohej autorësia e kësaj vepre penale, i cili është shtetasi S.S., 13 vjeç, lindur e banues në Tiranë, endacak. Në lidhje me vjedhjen e banesës së një shtetaseje, nga punonjësit e Komisariatit nr.4, u arrit të zbulohet autori i kësaj vepre penale, i cili është Tom Shpendi, 57 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Tiranë. Së fundmi, nga Komisariati nr.6 u krye arrestimi i Enver Gjinit, 47 vjeç, lindur në Mat e banues në "Kodrën e Priftit" në Tiranë, i sëmurë me kancer. Nga verifikimet e kryera rezulton se ky shtetas është autor i vjedhjes së një fadrome me kombinat, mjet i cili kap vlerën prej 6 milionë lekë. Sipas policies, atij iu sekuestruan edhe disa sende të vjedhura në një pikë hekurash, ndërsa është vendosur që ai të ndiqet në gjedje të lirë për shkak të sëmundjes së kancerit, pasi Gjini ndodhet i shtruar në spital.
M.Mullai
M.Mullai