Policia mëson detyrat për zgjedhjet nga OSBE-ja
09/06/2005 Tiranë- Policët marrin nga OSBE-ja një broshurë, në të cilën duhet të mësojnë detyrat e tyre gjatë zgjedhjeve. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi, tha se në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të sasisë prej 6.000 kopjesh të libërthit “Detyrat e Punonjësit të Policisë në Procesin Zgjedhor”, financuar nga Zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Ky libërth është një përmbledhje e detyrave të punonjësve të Policisë së Shtetit, të ngarkuar me shërbim ditën e zgjedhjeve. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Bajram Ibraj, ambasadori i Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Pavel Vaçek, zv.shefi i Misionit PAMECA, Dag Adams, etj. Vaçek, duke përgëzuar punën e bërë dhe masat e marra deri më tani nga Ministria e Rendit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, veçanërisht në drejtim të trajnimit të punonjësve të policisë, vlerësoi të domosdoshëm shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit mes dy institucioneve dhe ndër të tjera theksoi: “Më vjen mirë që kam nderin të dorëzoj këto 6 mijë kopje të këtij libërthi, i cili është pjesë e punës së bërë në ndihmë të policisë shqiptare, në vazhdim të angazhimeve të përbashkëta për të njëjtin qëllim”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Bajram Ibraj, shprehu vlerësimet për angazhimin nga ana e OSBE-së për prodhimin e kësaj broshure, e cila përbën një kontribut të çmuar dhe do t’u shërbejë punonjësve të Policisë së Shtetit për përmbushjen me korrektësi të detyrave të ngarkuara gjatë procesit zgjedhor. “Dëshiroj t’ju garantoj që Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për zbatimin e ligjit dhe do të tregojë profesionalizëm dhe paanshmëri në këtë proces zgjedhor. Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat për përballimin me sukses të këtij procesi. Ne do të jemi të hapur dhe transparentë gjatë të gjithë kohës”, u shpreh ndër të tjera Drejtori i Përgjithshëm. Ndërkohë është bërë dhe një panoramë e punës së strukturave të Policisë së Shtetit për përballimin me sukses, jo vetëm të këtij procesi zgjedhor, por në të njëjtën kohë dhe për masat që janë marrë për garantimin e rendit dhe të sigurisë në këtë prag sezoni turistik.
M.Mullai
M.Mullai