E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bashkiake e Tiranës shemb pallatin 5-katësh pa leje

11/08/2011  Ndërtimet pa leje, zbret në terren aksioni për prishjet

Policia bashkiake zbret në terren për prishjen e ndërtimeve pa leje. Aksioni ka nisur gjatë ditës së djeshme me shembjen e një pallati pesëkatësh, i ndërtuar pa leje në rrugën “Ismail Strazimiri”. Ndërkohë që janë evidentuar edhe qindra ndërtesa të tjera, të cilat do të bëhen objekt i shembjes për shkak të ndërtimit të tyre në kundërvajte me ligjin. Sipas kreut të policisë bashkiake Florenc Hoxha, pas konstatimit të ndërtimit policia në fillim bllokoi punimet, bëri aktkontrollin dhe mori masat për shembjen e ndërtesës si dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme. Pallati pa leje ishte bërë shqetësim për komunitetin dhe banorët e zonës e denoncuan rastin pranë këtij institucioni pas thirrjes së bërë ditë më parë nga kreu i bashkisë, ku u kërkoi qytetarëve që të bashkëpunonin me autoritetet për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit. Sipas të dhënave të bëra publike, deri tani rezulton se policia bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve në 107 raste të ndërtimeve pa leje, çka do të thotë se aksioni në terren për prishjen e ndërtimeve pa leje do të jetë i përditshëm, kjo me qëllim rikthimin e hapësirave komunitetit. “Bashkia e Tiranës sot po zbaton ligjin. Ne jemi të vendosur dhe ligji do të sundojë në territorin e kryeqytetit. Kemi konstatuar dhe bllokuar edhe raste të tjera të ndërtimit informal. Zbatimi i ligjit do të jetë i vazhdueshëm dhe do të kthehet në rutinën e përditshme të punës. Ju bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me policinë bashkiake sikurse u bëjmë thirrje që të mos ndërtojnë pa leje. Ligji do të zbatohet në mënyrë rigoroze, sepse ligji i shërben qytetit, u shërben qytetarëve”, - ka deklaruar Hoxha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›